6 Muaj Burg dhe 2,000 Euro Gjobë për Ryshfet

Gjykata ka gjetur fajtor për veprën penale marrje të ryshfetit menaxherin e KEK-ut, Azem Bajrami, dhe e ka dënuar me 6 muaj burgim si dhe me gjobë në vlerën prej 2,000 eurosh.

Po ashtu, Bajrami u obligua nga trupi gjykues që në emër të dëmit të shkaktuar të dëmtuarit Leonard Hoxha t’ia kthejë 3,000 euro, e të dëmtuarit tjetër Pren Krasniqit 1,500 euro. Këto shuma ai do t’i paguajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjykata e liroi Azem Bajramin rreth akuzës për ushtrim ndikimi pasi që prokurori në seancën e kaluar kishte hequr dorë nga ndjekja për këtë pikë.

Po ashtu, trupi gjykues e ka liruar nga akuza për veprën penale – dhënie e ryshfetit Pren Krasniqin. Ky vendim u mor pasi që Prokuroria në seancën e kaluar hoqi dorë nga një akuzë e tillë.

Azem Bajrami akuzohej se si menaxher përgjegjës për asete në KEK, në Prishtinë, në periudhën kohore prej dhjetorit 2012 e deri më 11 prill 2013, në mënyrë të vazhdueshme ka marrë ryshfet duke i premtuar një kompanie shpërndarëse të internetit shfrytëzimin e shtyllave të KEK-ut për rrjetin e saj në gjashtë fshatra të komunës së Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Bajrami kishte marrë 4,500 euro nga Leonard Hoxhaj, pronari i kompanisë NTSH “EGC”, duke i premtuar operimin e saj me anë të aseteve të KEK-ut.

Në seancën e kaluar, i akuzuari Azem Bajrami e kishte pranuar fajësinë.

Këtë e kishte bërë pasi që ai ishte arrestuar nga Policia në një restorant në Prishtinë në momentin kur i kishte marrë 6,000 euro nga i dëmtuari. Policia e kishte arrestuar pasi që ndaj të dyshuarit po zbatohej masa e fshehtë teknike e zbulimit dhe hetimit.

http://kallxo.com/gjykimi-per-ryshfet/