21 mijë euro donacion nga Çekia në aparatura për Klinikën e Syve

Klinika e Syve ka pranuar një donacion në aparatura me vlerë prej 21 mijë euro nga “People in Need”, mundësuar nga Agjensioni Çek për Zhvillim.

Me këtë rast, Ramadan Berisha, i cili përfaqësoi donatorin, tha se ky donacion është dhuratë nga populli çek.

“Ky donacion realizohet në kuadër të projektit integrimi i personave me probleme me shikim”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, kjo aparaturë do të mundësoj dhe lehtësojë trajtimin e personave që kanë probleme me shikim, e që ka qenë edhe synimi kryesor i donacionit që është realizuar përmes Agjencisë Çeke, e cila është prezente nga viti 2010 në Kosovë.

Në anën tjetër, Florim Zejnullahu, drejtor i Klinikës së Syve në QKUK, tha se donacion ka vlerë të madhe për Klinikën e Syve, ngase janë pajisje dhe aparatura që janë të nevojshme për Klinikën Syve.

Ai falenderoi donatorin, duke rikujtuar se para 2 vjetëve, kishin sjellur edhe një doktor kirurg i cili ka punuar për 5 ditë në kuadër të Klinikës së Syve.