Foto: QKUK

Në QKUK për herë të parë aplikohet metoda e re për sy te dy pacientë

Mjekët e Klinikës së Syve të QKUK-së kanë aplikuar për herë të parë te dy pacientë metodën e njohur si cross-linking.

Kjo metodë është një  trajtim jo kirurgjikal, që bazohet në aplikimin e rrezeve ultraviolet A (UVA 365 nm) dhe riboflavinës (Vitamina B2).

QKUK-ja ka bërë të ditur se aplikimi i kësaj metode u mundësua pas furnizimit me aparaturë të re mjekësore të blerë nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë.

“Pas aplikimit të kësaj metode, tek syri mundësohet rritja qëndrueshmërinë e strukturës së kornesë në 300%, duke ndaluar  progresesin në formën e keratokonusit. Pacientët kanë qenë të datëlindjes 1991, përkatësisht 2005”, thuhet në komunikatë.

Sipas ShSKUK-së, për këtë trajtim, deri më tani pacientët kanë paguar 1200 deri 1500 euro në institucionet private shëndetësore.