Spitali i Gjakovës | Foto: KALLXO.com

Gjakova mbetet pa klinikë të syve

Qytetarët e Gjakovës me rrethinë kanë humbur mundësinë që të trajtojnë problemet me sy brenda këtij qyteti.

Klinika e syve në Spitalin e Gjakovës po qëndron e mbyllur pothuajse qe një vit për shkak të mungesës së mjekëve specialist.

Mjekja specialist që ishte në detyrë u pensionua në mars të vitit 2019 dhe që nga ajo kohë kjo klinikë nuk ka pranuar asnjë pacient qoftë edhe për lëndimin më të vogël.

Këtë e ka konfirmuar edhe ushtruesi i detyrës së Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala, i cili ka thënë se që nga marsi i vitit 2019 kanë pasur tri konkurse dhe në të tria nuk ka pasur asnjë kandidat.

“Një mjeke që ka qenë është pensionuar, tri herë kemi pasur konkurs por nuk ka pasur konkurrent asnjëherë. Unë e kam marrë drejtimin e spitalit qe tre muaj dhe vazhdimisht jam në kontakt me drejtorin e ShSKUK-së, Basri Sejdiun si dhe me drejtorin e Klinikës së Oftalmologjisë, ishin 7 oftalmologë të papunë në nivel të Kosovës dhe kemi marrë iniciativë që ata të vijnë dhe të angazhohen në spital, të gjitha aparaturat janë në spital vetëm se nuk kemi mjek specialist dhe tash mund të pranojmë deri në tre mjek”, ka deklaruar Shala.

Drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, në një deklaratë për KALLXO.com ka treguar se javën tjetër do të hapet konkursi për oftalmolog në Spitalin e Gjakovës.

Sejdiu gjithashtu ka treguar se të gjitha Klinikat e Oftalmologjisë do të mbulohen me gjërat e nevojshme nga QKUK-ja.

“Ne jemi duke punuar në atë drejtim, ka dalë në terren drejtori i oftalmologjisë së QKUK-së dhe po merret me shërbimin e linjës, me strukturë dhe të gjitha spitalet do të mbulohen nga QKUK-ja, me resurse dhe të gjitha nevojat. Gjatë javës së ardhshme besoj se do të hapet konkursi për rekrutimin dhe mbulimin e vendeve të zbrazëta”, ka thënë Sejdiu.