20 Mijë Euro Bursa për Studentët e Kaçanikut

Komuna e Kaçanikut ka shpallur konkurs për ndarjen e 50 bursave në vlerë prej 20 mijë euro për studentët e kësaj komune.

Drejtori i Arsimit dhe Kulturës Zahir Doda, tha se konkursi është i hapur për vitin akademik 2017-2018, për student të rregullt të studimeve themelore.

Në këtë konkurs thuhet se Komuna e Kaçanikut do të ndaj 50 bursa me nga 40 euro në muaj për studentët në afat prej dhjetë muajsh.

Studentët të cilët mund të jenë përfitues të këtyre bursave sipas konkursit duhet të jenë banues të komunës së Kaçanikut, të jenë studentë të rregullt të Universiteteve publike, të kenë dhënë të gjitha provimet e vitit paraprak, të jenë student të vitit të dytë e më lartë, të mos jenë përsëritës të vitit, të kenë notën mesatare 7.50 e më lartë, përveç studentëve të profileve deficitare si Fakulteti i Mjekësisë së Përgjithshme, Fakulteti Teknik-drejtimi Elektro, Arkitekturë dhe Ndërtimtari, FSHMN-drejtimi Matematikë dhe Fizikë, profili arsimor.

Ky konkurs parasheh përparësi për fëmijët e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe martirëve të luftës, dhe personat me aftësi të kufizuara.

Ndarja e mjeteve prej 20 mijë euro për bursa të studentëve është bërë me vendim të kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi.