13 të ndaluar nga Prokuroritë e Kosovës

Në 24 orët e fundit Prokuroritë në Kosovë kanë ndaluar 13 persona me vepra të ndryshme penale.

Gjithashtu gjatë 24 orëve të fundit, prokuroritë kanë bërë tre kërkesa për caktimin e paraburgimit për persona të ndryshëm për shkak të veprave të ndryshme penale.

Gjatë ditës së djeshme sipas raportit të Prokurorisë së Shtetit, në lagjen “Tusus” në Prizren, ka ndodhur një aksident mes një veture të tipit “Golf” dhe një motoçiklete, ku si pasojë, janë lënduar disa persona, të cilët po trajtohen në Spitalin e Prizrenit.

Me urdhër të prokurorit kujdestar të Prokurorisë së Prishtinësjanë ndaluar katër personat me inicialet V.Rr, D.Rr, Z.Rr, dhe D.Rr, me dyshimin se kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, po ashtu, është ndaluar edhe personi me inicialet F.B, me dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Sipas Prokurorisë një i mitur me inicialet E. G është ndaluar për lëndim të rëndë trupor.

Gjithashtu Prokuroria në Prishtinë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit E.Ll., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Gjatë 24 orëve të fundit Prokuroria në Prishtinë nuk ka raportuar për kërkesat për arrestim përfshirë edhe ato ndërkombëtare, ndonjë bastisje, sekuestrim dhe nuk ka ngritur asnjë aktakuzë.

Prokuroria në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit me urdhër të Prokurorit kujdestar në Prokurorinë në Prizren ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet O.M, nën dyshimin se ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor. Rasti sipas raportit ka të bëj me dhunë në familje.

Në Prokurorinë e Pejës është ndaluar një person për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.

Prokuroria në Gjilan ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj katër personave, të pandehurve B.H., H.K., F.SH., M.A., shkak të dyshimit se në automjetin e tyre janë gjetur 1095.7 gram narkotikë të llojit ‘’Marihuanë’’. Në këtë rast ka qenë i përfshirë edhe një person i mitur, i cili kishte qenë duke drejtuar automjetin, për të cilin nga Departamenti për të Mitur është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Prokuroria në Gjakovë, nuk ka raportuar për të ndaluar apo arrestuar gjatë 24 orëve të fundit.

Gjatë 24 orëve të fundit në Prokurorinë në Mitrovicë është ndaluar personi S.Xh. për veprën penale vrasje në tentativë.

Në lidhje me kërkesat për arrestim, përfshirë ato ndërkombëtare, Prokuroria e Mitrovicës njofton se është ndaluar një person.