ARKIV - Nga homazhet e vjetme te pllaka për Mon Balajn e Arben Xheladinin | Foto: KALLXO.com

11 Vjet nga Vrasjet në Protestën Kundër Pakos Ahtisaari

Më 10 shkurt 2007 në protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë kundër propozimit gjithëpërfshirës për marrëveshjen për statusin e Kosovës të bërë nga diplomati finlandez Martti Ahtisaari qenë vrarë Mon Balaj e Arben Xheladini.

Balaj e Xheladini, por edhe shumë persona tjerë atëherë ishin qëlluar me plumba gome nga policët rumunë të UNMIK-ut.

Ekspertët në atë kohë kishin thënë se kur qëllohet me plumba gome, armët duhet mbajtur me tytë në drejtim të tokës, ndërsa me këta plumba nuk duhej qëlluar në pjesën e sipërme të trupit të protestuesve.

Por shumë nga të lënduarit u qëlluan me plumba gome në pjesën e sipërme të trupit dhe në kokë.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar për sot homazhe te varret e Arben Xheladinit e Mon Balajt në Prishtinë e Podujevë dhe te pllaka për ta në qendër të kryeqytetit.

Ky subjekt politik ka paralajmërruar edhe një tribunë për ngjarjet e 10 shkurtit 2007.

Propozimi Gjithëpërfshirës për marrëveshjen për statusin e Kosovës ishte paraqitur më 2 shkurt 2007, ndërsa nga ai rodhi pavarësia e kushtëzuar.