Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mbi 133 mijë vaksina hidhen në bërllok

133 mijë e 234 vaksina “AstraZeneca” janë hequr nga përdorimi sot pasi që u ka skaduar afati.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ai gjatë një konferenca për media tha se ndikimi i dezinformatave të cilët dërguan deri në refuzim të vaksinave ka ndikuar që këtyre vaksinave t’u skadojë afati.

“Për ne siguria dhe cilësia e vaksinave është parësore prandaj nuk kemi pasur kompromis në këtë drejtim dhe nuk do të kemi. Vaksinat që janë në stoqet tona janë të sigurta dhe për këtë garantojnë mekanizma si OBSH, ECDC, e mbi të gjitha EMA dhe FDA”, ka sqaruar ministri.

Ai tha se ka vaksina të mjaftueshme.

Ai tregoi se deri në fillim të javës së ardhshme në Kosovë do të arrijnë 150 mijë vaksina nga Gjermania.

“Përveç kontratës së nënshkruar me Pfizer, dozat e të cilave do të vijnë në fillim të çdo jave, Republika e Kosovës vazhdimisht do të pranojë doza të shumta nga shtetet mike që janë treguar solidar që nga fillimi i pandemisë”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, gjatë 24 orëve në nivel vendi janë vaksinuar 15 mijë e 835 qytetarë.

Procesi i imunizimit në nivel vendi ka filluar më 29 mars të këtij viti dhe përreth gjashtë muaj në Kosovë janë vaksinuar me një dozë 841 mijë e 591 përderisa me dy doza janë vaksinuar 284 mijë e 269 qytetarë.

Ministria e Shëndetësisë poashtu ka bërë të ditur se për 24 orë në nivel vendi kanë vdekur 22 qytetarë me COVID-19 ndërsa kanë rezultuar pozitivë  1 mijë e 894 qytetarë.