Rrahman Jasharaj - Foto: KALLXO.com

SBASHK: Ligji për Punëtorët në Arsim të Viteve 90-ta të Miratohet në Kuvend

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) ka reaguar ndaj paralajmërimit të Fondit Ndërkombëtar Monetar që po kërkon mos-procedimin e Ligjit për Punëtorët në Arsim të Viteve 90-ta në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Fondit Ndërkombëtar Monetar (FMN), ky Projektligj nëse hyn në fuqi mund të ketë kosto shumë të madhe për buxhetin që komprometon edhe investimet në të ardhmen e arsimit.

“….Ne do të këshillonim fuqimisht që të mos ecim përpara me këtë projektligj në formën e tij aktuale”, tha përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë, Ruud Veremulen për KALLXO.com.

Kryetari i SBASHK, Rrahman Jashari, tha për KALLXO.com se institucionet po e ‘fryjnë’ koston e këtij ligji me deklarata.

“Ne kemi informacione që FMN janë takuar paraprakisht me ministrin Bytyqi dhe ata e kanë sqaruar çështjen. Mbase Fondit Ndërkombëtar dikush i ka ofruar shifra të fryera të cilat nuk qëndrojnë. Vetë deklaratat publike, veçanërisht të ministrit Hamza se ligji kushtuaka 100 milionë ka ndikuar”, tha Jashari.

Ai po ashtu përmendi shifrat që sipas tij do të jetë kosto e këtij ligji vit pas viti dhe kohën kur ai mendon se ligji nuk do të ketë më efekt.

“Institucionet duhet të tregojnë se  nëse ligji fillon ka fundi i këtij viti për këtë ligj duhen 2 milionë 600 mijë euro dhe viti pasues nuk shkon mbi 6 milionë dhe viteve pasuese rritet për 1 milionë. 20 vite mbase kur ligji përfundon sepse edhe i fundit që është në kategori nuk do të jetë mes të gjallëve. Nuk është mirë të fryhen shifrat. Ky ligj siguron benefite vetëm pas pensionimit dhe jo sa janë aktiv. Këta nuk marrin dy pensione por vetëm një pension”tha Jashari.

Në anën tjetër Jashari kërcënoi sërish me grevë në rast se deputetët nuk e votojnë këtë projektligj kur ai të procedohet në Kuvendin e Kosovës.

“Ne kemi prirje të besojmë tek njerëzit që i ka zgjedhur populli.  Ne jemi betuar për hir të kujtimit për punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta. Në qoftë se Paralamenti nuk voton ne do të reagojmë njëjtë (me grevë)”, tha Jashari.

Mësime në Rezistencë: Sistemi Paralel i Arsimit në Kosovë në Vitet ‘90