Foto-ilustrim

Rreshteri i Policisë Mohon Keqpërdorimin e Informatës Zyrtare

Rreshteri i Policisë së Kosovës, Nuredin Begolli, i akuzuar për veprën penale – keqpërdorim të informatës zyrtare, ka vazhduar me dhënien e deklaratës para Gjykatës në Prizren.

E pyetur nga Emira Gavazaj-Gashi, avokate e palës së dëmtuar, se a i ka thënë ndonjëherë qytetares A.K. përmes “Viber”-it se Deli Hoxha ka 37 vepra penale, i akuzuari së pari kujtoi se ajo bisedë ka qenë joformale e më pas theksoi se asnjëherë nuk i ka cituar fjalët “37 vepra penale”.

“Asnjëherë nuk kam cituar 37 vepra penale. Përpos numrit 37 e që nuk kupton që i ka 37 vepra penale meqë nuk kam cituar veprat penale. Numri 37 mund të jetë çdo gjë, dhe në rrjetin social nuk e kam përmendur fare emrin e Deliut”, tha i pandehuri.

Ndërsa, përfaqësuesja e palës së dëmtuar i kërkoi leje trupit gjykues që ta ballafaqojë të akuzuarin me disa nga shkresat e lëndës në bazë të të cilave është ngritur aktakuza.

Avokatja i kërkoi Begollit të shpjegojë një tekst të bisedës që është zhvilluar mes tij dhe A.K.: “Përshëndetje harrova sa vepra penale pat Delija dhe për cka ato vepra, kam harru”. I akuzuari sipas avokates përgjigjet: “Se cka është në pyetje”. Më pas avokatja lexoi përmbajtjen e mesazhit të A.K.: “Jo harrova më pyeti një shokë edhe ai ka nejt me ta e ni policë i kish tha largoju se ka vepra penale e ashtu e patëm llaf”.

E i akuzuari tha se kjo faqe që e shikoni të gjithë është faqe e A.K.. Në brendi të kësaj faqe, sipas tij, është kopja e bisedës që nuk ka fare të bëjë me bisedën e tij me A.K.

“Nëse e shikoni mirë në anën e djathtë të faqes është fotografia e A.K. ndërsa në anën e majtë është një fotografi e dikujt tjetër me dy vajza të tjera që unë nuk i njoh se është A.K., një gjë të tillë mund të tregon edhe i dëmtuari se në fotografi a është A.K.”, tha i pandehuri.

Mbrojtësi i të akuzuarit theksoi se provat të cilat janë propozuar për administrim janë të nxjerra në mënyrë të kundërligjshme ngase  nuk ka vendim që këto prova të nxirren në mënyrë të ligjshme andaj përkundër të gjithave nëse vazhdohet të shfrytëzohen këto prova do t’i sugjeroj klientit tim të mos përgjigjet në pyetjet e përfaqësues, të cilat ajo i bazon në shkresat tjera të cilat ne nuk i posedojmë dhe nuk na janë dorëzuar.

Ndërsa pati vërejtje nga përfaqësuesja e palës së dëmtuar se i pandehuri ka pasur mundësi të kundërshtojë provat lidhur me këtë lëndë gjë të cilën nuk e ka bërë.

Mbrojtësja e palës së dëmtuar vazhdoi m pyetjet: “Ju si zyrtar policor i Republikës së Kosovës me gradë rreshter a e keni obligative respektimin e Udhëzimit Administrativ nr. 06/2012 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në policinë e Kosovës?”.

Dhe, mbrojtësi i të akuzuarit kërkoi që ai udhëzim t’i jepet të akuzuarit dhe mbrojtjes me qëllim për të parë përmbajtjen e saj e pastaj të përgjigjet i akuzuari.
Pas marrjes së kopjes së udhëzimit dhe leximit të tij, i akuzuari tha se si rreshter policor i Policisë së Kosovës qysh në vitin 2002 deri më tani është betuar dhe është zotuar se do ta mbrojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet aktuale, udhëzimet administrative dhe se nga kjo kohë asnjëherë në karrierën e tij policore nuk ka bërë shkelje të këtyre ligjeve, akteve nënligjore si dhe udhëzimeve administrative.

“Më së miri e ka argumentuar dhe dokumentuar zyrtari administrativ i Policisë së Kosovës Hajrush Lenjani ku tregon dhe dëshmon që nuk kam pasur asnjëherë qasje ne Sistemin informativ të Policisë së Kosovës”, tha i akuzuari Begolli.
Pas gjitha deklaratave dhe marrjeve në pyetje nga palët si dhe dëgjimi i të akuzuarit Gjykata në Prizren vendosi që shqyrtimin kryesor ta caktojë për një ditë tjetër.

13 Nëntor 2017 - 22:12

Dhurata Ramoja 13/11/2017 - 22:12
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend