Ramadan Zejnullahu, ish-rektor i UP-së

Ramadan Zejnullahu Jep Dorëheqje

Në ditën kur Këshilli Drejtues i UP-së ka shpallur konkursin për rektor të ri, rektori në largim Ramadan Zejnullahu ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Në komunikatën e lëshuar për media, Zejnullahu ka bashkangjitur dhe një letër publike, ku ndër tjera thuhet se ai ka ardhur në krye të UP-së për të ndihmuar nxjerrjen e institucionit nga kriza në të cilën e kishin futur degradimi akademik e moral, papërgjegjësia dhe konformizmi.

“E kam ditur se do të jetë shumë vështirë, por nuk kam pasur idenë se rezistenca për ndryshime do të jetë aq e fortë”, ka thënë ai në arsyetimin e dorëheqjes.

Në këtë letër Zejnullahu shkruan tutje se përkrahja e madhe ka ndikuar që ai t’i qëndrojë besnik misionit të tij.

“Po kjo përkrahje ka bërë që, pas shkarkimit tim dhe anulimit të këtij vendimi, të rikthehem në krye të Universitetit. E kam bërë këtë për ta inkurajuar stafin akademik dhe studentët që, përmes pjesëmarrjes në procesin zgjedhor, të reflektojnë për situatën e përgjithshme dhe të zgjedhin një rrugë që jep shpresë”.

“Si duket njerëzit janë të kënaqur, prandaj edhe i votojnë ata që, sipas bindjes sime, e katandisën Universitetin në këtë gjendje, ata që, vite me radhë manipuluan, falsifikuan, mashtruan dhe përfituan”.

“Kjo tregon se UP, tanimë, e ka trasuar qartë rrugën e “zhvillimit” të vet. Nëpër këtë rrugë sot do të ecim vet, ndërsa nesër, fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë. Po shihet qartë se kjo është rrugë e përshtatjes interesave të klaneve, brenda së cilës, ka hapësirë të mjaftueshme për realizimin e interesave joligjore të secilit që ka fuqi, duke filluar nga ata që janë në majat e shtetit e deri te servilët besnikë të tyre”.

http://kallxo.com/ramadan-zejnullahu-perballe-vetes-dhe-universitetit-te-politikes/

Zejnullahu vlerëson se qëndrimi i mëtutjeshëm në krye të Universitetit “do të ishte lajthitje, mashtrim i qytetarëve se çdo gjë është në rregull dhe se çdo gjë do të bëhet mirë. Megjithëse ka mbetur vetëm edhe një muaj deri në përfundimin e mandatit tim, unë nuk dëshiroj të qëndroj në krye të institucionit i cili ka zgjedhur një rrugë që nuk përkon me vizionin tim dhe me angazhimet e mia”.

“Në pozicionin zyrtar që mban ndonjëherë, nuk mund të artikulosh qëndrimet ashtu si do të bëje në kapacitet privat. Në disa raste kjo ka mundur të interpretohet edhe si ndryshim i qëndrimit parimor dhe krijim i përshtypjes së gabuar se, për hir të ruajtjes së postit, je pajtuar me atë të keqe për të cilën ke marrë mandat ta luftosh”.

“Nuk kam pasur plane pas këtij mandati, dhe jam përpjekur të mos kalkuloj çfarë më shkon për shtati e çfarë jo, me gjithë se gjatë tërë kohës isha nën presion shumë të madh nga të gjitha anët, e më së shumti nga njerëzit që nuk ia dilnin t’i ruajnë privilegjet e veta, e që ishte e mundur vetëm në kushte të funksionimit joligjor të institucionit”.

Zejnullahu ka ardhur në krye të UP-së në shtator të vitit 2014 ndërsa vitin e kaluar qe shkarkuar nga ana e Këshillit Drejtues të UP-së pas disa mosmarrëveshjeve me Senatin e universitetit kur Zejnullahu kishte vendosur t’i bllokojë gradimet pa kriter të stafit të UP-së.

http://kallxo.com/shkarkohet-rektori-ramadan-zejnullahu/

Por një ditë më vonë, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, e kishte anuluar vendimin për shkarkim dhe e kishte kthyer Zejnullahun në krye të universitetit deri në përfundimin e zgjedhjeve të parakohshme të UP-së.

http://kallxo.com/ramadan-zejnullahu-kthehet-ne-pune/