KALLXO.com i kërkon Qeverisë Kurti emrat e të gjithë të punësuarve nga dita e parë e punës
KALLXO.com ka kërkuar të dhëna nga kryeministri, zv.kryeministrat dhe gjithë ministrat për gjithë të punësuarit në kabinetet e tyre.
Kjo kërkesë është bërë me qëllim të verifikimit nëse premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore për luftimin e nepotizmit janë duke u implementuar nga Kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës me rastin e kompletimit të stafit të tyre.
KALLXO.com ka kërkuar listën e gjithë stafit të secilin ministër, si dhe lidhjet eventuale familjare me të punësuarit.
Kjo është kërkesa e plotë që i është dërguar gjithë anëtarëve të kabinetit qeveritarë.
Letra e Plotë
Që nga viti 2012, KALLXO.com është duke monitoruar punësimet e njerëzve jo kompetentë dhe me elemente të nepotizmit në institucione publike të Kosovës.
Në vazhdën e këtij monitorimi po ju dërgojmë këtë kërkesë gjithë kabinetit qeveritar (kryeministrit, zëvendës-kryeministrave, ministrave dhe zëvendës-ministrave).
Për më shumë, KALLXO.com ka nisur të verifikojë nëse premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore për luftimin e nepotizmit janë duke u implementuar nga Kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës me rastin e kompletimit të stafit të tyre.
Duke pasur parasysh se deri më sot kanë kaluar tri ditë nga marrja e mandatit ju lusim të na bashkëngjisni listën e personave të punësuar në zyrën e Kryeministrit.
Gjithashtu, jemi të interesuar të përgjigjeni në këto pyetje:
- A i keni vendosur vetit standard të tillë që në kabinetin tuaj mos të punësoni familjarë tuaj?
- A mund të na tregoni lidhjet familjare që i keni me të punësuarit e deritanishëm në stafin/kabinetin tuaj
KALLXO.com ju përkujton që gjatë fushatës zgjedhore, kandidatët nga partitë fituese të zgjedhjeve kanë premtuar luftimin e nepotizmi duke mos punësuar familjarë dhe njerëz të pa kompetencë në kabinetet e ministrive.
Në vazhdën e kësaj iniciative, po ju informojmë që javëve në vijim do të lansojmë një platformë në të cilën do t’i publikojë emrat e ministrive të cilat nuk kanë ofruar qasje në emrat dhe mbiemrat e të punësuarve si staf i Kryeministrisë, zëvendës kryeministrave, ministrave dhe zëvendës ministrave që nga themelimi i Qeverisë Kurti.
Kurdo që do ta kompletoni stafin tuaj, KALLXO.com do ta përditësojë platformën me emrat e stafit, afërsinë apo mos afërsinë familjare me ministrin.
Me këtë rast, ju shprehim gatishmërinë të monitorojmë konkurset e rekrutimit të stafit në institucionin tuaj.
Njëkohësisht, KALLXO.com ka lansuar një fushatë publike ku i fton qytetarët dhe sinjalizuesit që të raportojnë punësime jo-meritore dhe nepotike.