LDK: Konkursi i fundit në KEK është 'Afera Pronto e Vetëvendosjes'

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për nepotizëm duke thënë se që në muajt e parë të qeverisjes se kësaj partie, institucionet e Kosovës janë vërshuar me punësime të paligjshme.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi në një konferencë për media tha se në konkursin e fundit në KEK aplikuan 4668 persona dhe sipas saj, u pranuan 128 të gjithë familjarë e militantë të LVV-së.

“Rasti i fundit eklatant është konkursi i KEK-ut ku aplikuan 4668 ndërsa u pranuan 128 të gjithë familjarë e militantë të VV. Kjo është afera super pronto e Vetëvendosjes, pra bëhet fjalë për mbi 4500 persona që ju mohua e drejta e punës vetëm për shkak të përkatësisë së tyre partiake”, ka thënë Halimi.

Halimi ka thënë se LDK kërkon të anulohet konkursi dhe fton prokurorinë të fillojë hetimin për të gjithë procesin.

“LDK kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë dhe të vendoset drejtësi për 4668 aplikantë. Shkarkim dhe suspendim i gjithë zyrtarëve udhëheqës të KEK përfshirë edhe komisionin vlerësues. Ftojmë prokurorinë të fillojë hetimin e menjëhershëm të të gjithë procesit dhe të marrë masa ndaj keqpërdoruesve”, ka thënë ajo.

Sipas Halimi, LVV ka emëruar militant partiak në bordet e ndërmarrjeve publike e me theks të vecantë ato në KEK, PTK, Ujësjellës.

“Lëvizja Vetëvendosje emëroi militantët e vetë partiak pavarësisht mungesës së kualifikimit të tyre profesional, në të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike në vend me theks të veçantë ato në KEK, PTK, ujësjellës”, ka shtuar ajo.

Pas shpalljes së rezultateve për 128 pozita në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), mediat raportuan se disa prej të pranuarve janë të lidhur me partinë në pushtet – Lëvizjen Vetëvendosje.

KEK sot ka reaguar përmes një komunikate për media duke thënë se janë duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike “rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit”.

KEK ka njoftuar se për 17 pozita ende të pa plotësuara vazhdon procedura e rekrutimit, si dhe për 5 pozita për të cilat nuk kanë pasur kandidat të suksesshëm, do të rishpallen në një të ardhme të afërt.

Në konkursin për 150 pozita kanë aplikuar 4,668 kandidatë.

Disa prej kandidatëve që nuk u pranuan ngritën dyshimet për manipulime në këtë proces. Madje u raportuan edhe për punësim të militantëve të LVV-së.