Konkursi për doktorë në Vushtrri, kandidati pretendon se u eliminua padrejtësisht dhe për arsye politike, Komuna e mohon

Komuna e Vushtrrisë ka hapur konkurs për pesë doktorë të mjekësisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, “Safet Idrizi”. Butrint Avdiu njëri nga kandidatët po pretendon se në mënyrë të padrejtë nuk është përfshirë në listën e ngushtë për këtë konkurs.

Konkursi për pesë doktorë të mjekësisë në QKMF në Vushtrri është hapur më 20 mars dhe është mbyllur më 3 prill. Një ndër dokumentet e kërkuara sipas konkursit ishte kopja e licencës së punës.

Kandidati Butrint Avdiu ka thënë për KALLXO.com se ka dorëzuar “certifikatën e licencës së punës ” si dëshmi që ai e posedon licencën e punës.

Por institucionet e kanë konsideruar të pa kompletuar dokumentacionin e Avdiut pasi që sipas tyre ai është dashur të bashkangjes kopjen e licencës së punës, dhe jo certifikatën e licencës së punës.

Për këtë Avdiu nuk është futur në listën e ngushtë të kandidatëve në këtë konkurs.

Pas kësaj Avdiu ka bërë ankesë fillimisht në QKMF dhe më pas në Komisionin për Ankesa të Drejtorisë së Shëndetësisë. Të dy ankesat i janë refuzuar.

“Licenca e punës është plotësisht valide që nga data e hyrjes në fuqi më 16.03.2023… dëshmoj se i kam plotësuar të gjitha, të gjitha kritret dhe kushtet e kërkuara në komision si dhe kam dërgu certifikatën e licencës së punës që është valide që nga data 20.02.2023”- thuhet ndër të tjera në ankesën e Avdiut.

Kandidati, Butrint Avdiu pretendon se për arsye politike nuk është futur në listën e ngushtë ndërsa thekson se është bazuar në Udhëzimin Administrativ për shëndetësi 04/2006 për dorëzimin e certifikatës së licencës.

Në nenin 5 të këtij udhëzimi administrativ thuhet se “pas përfundimit të suksesshëm të provimit të licencës, bordi duhet të lëshoj certifikatën e licencës të nënshkruar nga Ministri i Shëndetësisë dhe kryetari i Komisionit”.

Avdiu thotë se në mënyrë të njëjtë ka aplikuar në një konkurs tjetër publik dhe që i kanë pranuar certifikatën e licencës.

“Unë si doktor i ri kam apliku në këtë pozitë, për “doktor të mjekësisë” në Vushtrri por hasa në një problem, me eliminim të jashtëligjshëm nga lista e plotësimit të kritereve, edhe pse unë në afat të rregullt kohor dorëzova certifikatën e licencës së punës që e vërteton që unë kam licencën. Mendoj që për çështje politike u eliminova nga lista, në afat te rregullt kohor u bë edhe ankesa prap m`u bë një padrejtësi e madhe duke më eleminuar dhe mos më lejuar të jem i barabartë me kolegët e mi doktor. Sipas udhëzimit administrativ 04/2006, neni 5 paragrafi 1 dhe 11 më lejohet që të ushtroj profesionin e mjekut në tërë Kosovën ku me të njëjtin dokumentacion aplikova edhe në Prishtine dhe i plotësova të gjitha kriteret por në Vushtrri jo”- tha ai për KALLXO.com.

Drejtori i Shëndetësisë në Vushtrri, Nexhmedin Rashica mohoi se për çështje politike kandidati Butrint Avdiu nuk është përfshirë në listën e ngushtë.

“Nuk ka të bëjë me politikë. Edhe unë jam kanë i mendimit që certifikata është e njëjtë me licencë por këta juristët e kanë gjet që aty në dokumentacion kërkohet licenca edhe komisioni e ka gjet që nuk ka të drejt me konkuru me certifikatë. Ai u ardh është anku edhe te unë. Kemi bisedu edhe me komision, komisioni ka vendos që nuk është ligjore edhe aq. Sa i përket politikës gabim e ka”- tha Rashica për KALLXO.com.

Kandidati Butrint Avdiu tha për KALLXO.com se për ankesën e tij është takuar edhe me kryetarin e Vushtrrisë dhe nënkryetarin.

“Pas padrejtësisë që më është bërë ju kam adresu kryetarit ku ka qenë prezent nënkryetari dhe drejtori për Shëndetësi të cilët pas paraqitjeve të dokumenteve nga ana ime janë bindur që më është bërë shkelje ligjore. Në takim me kryetarin dhe nënkryetarin, drejtorin për Shëndetësi, kryetari ka pranu se më kanë mohu të drejtën legjitime në prani të gjithë këtyre, por duke mos reaguar asgjë sepse ka ndërhy politika”- tha ai.

Shpëtim Zhegrova, nënkryetar i Vushtrrisë tha për KALLXO.com se janë takuar me Avdiun ndërsa mohoi që ka pasur ndikime politike.

“Ne kemi diskutu me të. Normal për çdo parregullsi po mundohemi me i trajtu barabartë krejt. Tash, harresat e dikujna nuk po mundemi me i mbulu ne. Ai nuk e ka bashkëngjit licencën në momentin që ka apliku edhe normalisht që komisioni e ka hudh poshtë. Nëse mendon që na i kemi bërë të padrejtë le t`i drejtohet gjykatës. Ne e kemi thirr komisionin e ankesave sepse kemi dashtë me e sqaru”- tha ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryetarin e komisionit të ankesave, Naim Ferizi. Komision ky i cili refuzoi ankesën e Avdiut, duke konsideruar se aplikacioni i tij ishte i pa kompletuar.

Ferizi tha se aplikacioni i Avdiut është konsideruar i pa kompletuar sepse nuk e ka dorëzuar licencën dhe si i tillë nuk ka plotësu kriteret e konkursit.

Ferizi theksoi se vendimi për t`i refuzuar ankesën kandidatit Butrint Avdiu është bazuar në Ligjin për shëndetësi dhe Udhëzimin Administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik.

“Neni 71 pargrafi 4 i Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësi përcakton:‘’Profesionisti shëndetësor mund të ofroj shërbime shëndetësore në mënyrë të pavarur vetëm pas marrjes së licensës’’. Neni 5 pika 1.9 i Udhëzimit Administrativ NR.07/2017 për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik përcakton: Aplikacionet e dorëzuara pas afatit të paraparë nuk pranohen, ndërsa aplikacionet e mangëta refuzohen. Meqenëse në këtë Udhëzim nuk parashihet ndryshe, dokumentacioni i prezantuar pas afatit nga ana e z.Avdiu nuk është pranuar dhe ka mbetur i përjashtuar nga gara, sepse ana ligjore e parasheh kështu”- ka thënë Ferizi për KALLXO.com.

Për Butrint Avdiun e gjithë kjo është mohim i një të drejte fundamentale për të qenë i barabartë me kolegët.

Avdiu tha se do t’i drejtohet edhe Gjykatës për këtë çështje.

“Ne si mjekë të rijnë nuk na mbetet tjetër por vetëm të dalim jashtë vendi ndoënse atje jemi të vlerësuar edhe kundër vullnetit që kemi për të dhënë kontribut në vendin tonë. Kjo është arsyja se pse për 4 muaj kanë ikur nga vendi 91 doktorë sepse neve po na u mohohet një e drejtë fundamentale edhe për të qenë i barabartë me koleget tanë për arsye që ka ndërhy politika për pranimin e personave të caktuar”- deklaroi Avdiu.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me kryetarin e Vushtrrisë, Ferit Idrizi por ka qenë i paqaashëm.