Reagon drejtoresha e shkarkuar e Arsimit në Gjilan, thotë se e liroi pozitën pas akuzave për nepotizëm

Selvete Sylemjani, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjilanit, ka reaguar pas shkarkimit të saj nga kjo pozitë,

Përmes një postimi në Facebook, Sylejmani ka thënë se lirimin e kësaj pozite e ka bërë pas akuzave për nepotizëm ndaj saj.

“Në takimin zyrtar me Kryetarin e Komunes, z.Alban Hyseni, me datë 05.09.2022, u dakorduam për lirimin e pozitës si Drejtoreshë e Drejtorisë Komunale të Arsimit. Lirimit të pozitës i paraprinë shpifjet dhe akuzat për nepotizëm, nga njerëz jo kredibil, ish-politikan të dështuar e persona që kanë tentuar vazhdimisht të imponojnë e të inskenojnë manipulime të ndryshme tash e disa vite” – ka shkruar ajo në Facebook.

Tutje ajo ka theksuar se ndihet e pastër përballë akuzave dhe jep përgjegjësi të plotë para qytetarëve për punën e saj prej ditës së parë në arsim.

Sylejmani ka mohuar të ketë pasur ndonjë ndikim në konkursin për mësimdhënës në këtë komunë.

“Përgjegjësia për punësimin e aplikuesve në konkursin e datës 24.06.2022 nuk bie në asnjë formë mbi kompetencat e Drejtorit, prandaj çfarëdo akuze e pafaktuar ndaj meje, duke targetuar lidhjen time familjare me ndonjë prej kandidatëve, është e papranueshme dhe jologjike” – ka theksuar ajo.

Sipas saj, anëtarët e komisionit vlerësues në këtë konkurs e kanë kryer punën e tyre në mënyrë të pavarur.

“Gjatë gjithë kësaj kohe, asnjëherë, askush nga zyrtarët e DKA-së nuk ka pasur asnjë lloj presioni nga ana ime, e nga ana e askujt tjetër dhe në këtë drejtim kam qenë gjithmonë e prerë” – ka theksuar ajo.

Sot Selvete Sylejmani është shkarkuar nga pozita e drejtoreshës së Arsimit në Gjilan. Pas këtij vendimi, kryetari i Komunës së Gjilanit ka anuluar konkursin për mësimdhënës duke e kthyer në pikën zero.

Pas shkarkimit të drejtoreshës së Arsimit, Hyseni anulon edhe konkursin për rekrutim të mësimdhënësve