Punët që Intelegjenca Artificiale ende nuk do na i marr

Në mesin e shumë polemikave se punëtorët do zëvendësohen nga Intelegjenca Artificiale, ekspertët thonë se ka disa punë që kompjuteri nuk do na i marr – të paktën për një kohë.

Që nga fillimi i revolucionit industrial, ka pasur kërcënime se makinat do të uzurponin punët e njerëzve. Në pjesën më të madhe njerëzit kanë mbizotëruar. Tani, thonë se, me përhapjen e AI (Intelegjencës Artificiale) në horizont, kërcënimi po realizohet: robotët me të vërtetë po vijnë për të marr disa punë.

Një raport i muajit mars të këtij viti nga Goldman Sachs vlerësoi se AI me aftësi për gjenerimin e përmbajtjes mund të bënte një të katërtën e të gjithë punës së bërë aktualisht nga njerëzit. Në gjithë Bashkimin Evropian dhe SHBA, vë në dukje më tej raporti, 300 milionë vende pune mund të humbasin për shkak të automatizimit. Dhe kjo mund të jetë e tmerrshme, thotë Martin Ford, autor i ‘Rule of the Robots: How Artificial Intelligence Will Transform Everything’.

“Kjo nuk do u ndodh vetëm individëve, por mund të jetë mjaft sistematike. Mund t’u ndodhë shumë njerëzve, potencialisht krejt papritur. Dhe kjo ka implikime jo vetëm për ata individë, por për të gjithë ekonominë”- tha ai.

Fatmirësisht, nuk janë të gjitha lajmet të këqija. Ekspertët paralajmërojnë se ka ende gjëra që AI nuk është në gjendje t’i bëjë si; detyra që përfshijnë cilësi të dukshme njerëzore, inteligjenca emocionale dhe të menduarit jashtë kornizës. Hyrja në këto role që kërkon këto aftësi mund të ndihmojë në zvogëlimin e mundësive për t’u zëvendësuar.

“Unë mendoj se në përgjithësi janë tre kategori që do të jenë relativisht të izoluara në të ardhmen e parashikueshme”, thotë Ford. “E para do të jenë punët vërtet kreative: dalja me ide të reja dhe ndërtimi i diçkaje të re”.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht të gjitha punët që konsiderohen “kreative” janë të sigurta. Në fakt,  të tilla si dizajni grafik dhe ato që lidhen me artin pamor mund të jenë ndër të parat që do të shkojnë; Algoritmet bazë mund ta drejtojnë një robot të analizojë miliona imazhe, duke i lejuar AI të zotërojë estetikën në çast. Por, ka njëfarë sigurie në llojet e tjera të krijimtarisë, thotë Ford: “në shkencë, mjekësi dhe ligj”. Unë mendoj se do të vazhdojë të ketë vend për qeniet njerëzore”.

Kategoria e dytë e mbrojtur, sipas tij, janë punët që kërkojnë marrëdhënie të sofistikuara ndërpersonale. Ku flet për infermierët, konsulentët e biznesit dhe gazetarët hulumtues. Këto janë punë, “ku duhet një kuptim shumë i thellë i njerëzve. Mendoj se do të duhet shumë kohë përpara se AI të ketë aftësinë për të ndërvepruar në mënyrat që krijojnë vërtet marrëdhënie”.

Zona e tretë e sigurt, thotë Ford, “janë punët që kërkojnë me të vërtetë shumë lëvizshmëri, shkathtësi dhe aftësi për zgjidhjen e problemeve në mjedise të paparashikueshme”. Shumë punë si; elektricistët, hidraulikët, salduesit dhe të ngjashme – bien nën këtë ombrellë. “Këto janë llojet e punëve ku përballesh me një situatë të re gjatë gjithë kohës”, shton ai.

“Këto janë ndoshta më të vështirat për t’u automatizuar. Për të automatizuar punë si kjo, do t’ju duhet një robot fantashkencë”.

Por, e gjithë  kjo nuk do të thotë se këto profesione janë plotësisht të izoluara nga AI. Në fakt, thotë Joanne Song McLaughlin, profesoreshë e asociuar e ekonomisë së punës në Universitetin e Buffalo, SHBA, shumica e vendeve të punës, pavarësisht nga industria, kanë aspekte që ka të ngjarë të automatizohen nga teknologjia.

“Në shumë raste, nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm për vendet e punës”, thotë ajo, “por detyrat do të ndryshojnë”. Punët e njerëzve do të fokusohen më shumë në aftësitë ndërpersonale, vazhdon Song McLaughlin. “Është e lehtë të imagjinohet se, për shembull, AI do të zbulojë kanceret shumë më mirë se sa njerëzit. Në të ardhmen, unë supozoj se mjekët do ta përdorin atë teknologji të re. Por nuk mendoj se i gjithë roli i mjekut do të zëvendësohet”.

Derisa një robot mund të bëjë një punë më të mirë për të gjetur kancerin, shumica e njerëzve do të duan akoma që një mjek – një person i vërtetë – të jetë ai që do t’u tregojë për këtë. Kjo qëndron për pothuajse të gjitha punët, shton ajo, dhe kështu zhvillimi i atyre aftësive të dukshme njerëzore mund t’i ndihmojë njerëzit të mësojnë të bëjnë punët së bashku me AI.

“Mendoj se është e zgjuar të mendosh, ‘çfarë lloj detyrash brenda punës sime do të zëvendësohen, apo do të bëhen më mirë nga kompjuteri apo AI? Dhe cila është aftësia ime plotësuese?’”. Ajo vë theksin tek arkëtarët e bankave, të cilët dikur duhej të ishin numërues shumë të saktë të parave. Tani, ajo detyrë është e automatizuar – por ka ende një vend për shitësin.

“Detyra e numërimit të parave u vjetërsua për shkak të një makinerie”, thotë ajo. “Por tani, tregtarët janë më të fokusuar në lidhjen me klientët dhe prezantimin e produkteve të reja. Aftësia sociale është bërë më e rëndësishme”.

Është e rëndësishme të theksohet, thotë Ford, se një arsim i avancuar ose një pozicion me pagesë të lartë nuk është mbrojtje kundër kapjes nga AI.

“E ardhmja e punonjësve me kostume është më e kërcënuar se e një shoferi të taksisë, sepse ende nuk kemi makina vetëdrejtuese, kurse AI mund të shkruajë raporte. Në shumë raste, punëtorët më të arsimuar do të jenë më të kërcënuar se punëtorët më pak të arsimuar”.

Të kërkosh punë në një mjedis dinamik, të ndryshueshëm, që përfshinë detyra të paparashikueshme – është mënyrë e mirë për të shmangur humbjen e punës nga AI. BBC

Përgatiti: Ardita Zeqiri