Spitali i Gjakovës "Isa Grezda"

Anulohet konkursi i Spitalit të Gjakovës në ditën e intervistimit të kandidatëve të përzgjedhur

Konkursi për pozitën zyrtar administrativ në Spitalin Rajonal të Gjakovës është anuluar në ditën kur kandidatët që kishin kaluar testin me shkrim ishin ftuar për intervistë.

KALLXO.com dje kishte dërguar pyetje lidhur me komisionin e formuar nga drejtori i këtij institucioni, Jeton Zarari.

Komisioni në përbërje nuk e kishte një zyrtar të burimeve njerëzore ashtu siç parashihet me Ligjin për zyrtarët publikë.

Neni 68, pika 7, e këtij Ligji për procedurat e konkurrimit thotë se “Komisioni i përzgjedhjes është ad hoc, themelohet nga organi emërtues dhe përbëhet nga të paktën 5 persona, ku të paktën tre (3) prej tyre janë profesionistë të fushës në të cilën bëhet vlerësimi i kandidatëve, një (1) është profesionist në fushën e përzgjedhjes të burimeve njerëzore dhe një (1) tjetër është përfaqësues i NJBNJ (Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore)”.

Në përgjigjen me shkrim të drejtorit të këtij Spitali thuhet se kanë vendosur që të anulojnë këtë konkurs për shkak të mungesës së zyrtarit të burimeve njerëzore.

“Zyra e personelit në SP Gjakovë, ka marrë vendim të anulojë konkursin për mungesë të kandidatit të burimeve njerëzore, e cila është zëvendësuar për konflikt interesi. Kandidati i cili e ka zëvendësuar, nuk ka qenë i burimeve njerëzore, ngase nuk kemi pasur ndonjë tjetër” – thuhet në përgjigjen e Zararit.

Ndryshe, konkursi i shpallur për dy pozita për zyrtar administrativ në Spitalin Rajonal të Gjakovës ishte shpallur më 30 qershor të këtij viti.