Institucionet e Kosovës në gjendje jo të mirë - grupet e margjinalizuara ende po diskriminohen

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi për diskriminim në ofrimin e qasjes për personat me aftësi të kufizuar në institucione dhe diskriminimin në punësimin e personave të grupeve të margjinalizuara në institucione thotë se është vepruar ndër vite për t’u mbështet këto grupe por ka ende punë.

“Kemi krijuar program të veçantë për mbështetjen e Komunave për investime kapitale në zonat ku jetojnë komunitetet. Kjo nuk e largon diskriminimin, por ndihmon në luftimin e tij. Ky fond duhet të rritet” –  tha ministri Krasniqi.

Krasniqi thotë se nga komuna në komunë ka dallime sa i përket punësimit të personave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas.

Ai shton se Qeveria ka shprehur vullnet që të trajtoj edukimin e anëtarëve të këtyre komuniteteve dhe se janë ndarë bursa të veçanta për ta.

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama tha se Prishtina tenton të ofroj barazi në çdo sferë dhe se po shtyhen përpara analizat e ndërtesave për të parë nevojën për ndërhyrje dhe ofrimin e qasjes.

“Çdo ndërtesë e re nuk do të kaloj pa ofruar barazi në qasje. Një numër i madh i shkollave nuk ofrojnë qasje, po shtyjmë përpara që ato me pas lift. Po krijojmë një strategji që me ndërhy në të gjitha ndërtesat. Ne zotohemi për me punësu persona nga grupet e margjinalizuara, por ka raste kur nuk ka aplikacione ose edhe punësohen, por pas një kohe largohen. Nuk po varen të gjitha nga vullneti politik, por po ka edhe elemente shtesë” – shtoi Rama.

Rama thotë se se ka mungesë të kuadrove për punësimin në strehimore për komunitetet LGBTIQ+.

Niman Hajdari nga Institucioni i Avokatit të Popullit thotë se pajtohet me gjetjet e raportit që janë pak a shumë të njëjta me gjetjet e raportit të këtij institucioni.

“Po punojmë në disa raporte me rekomandime për institucionet qendrore dhe lokale. Nuk pres që në këto raporte të ketë dallime me ato çka ju prezantuat. Fatkeqësisht as në nivelin qendror e as në atë lokal përparimi nuk është aq i dukshëm” -deklaroi Hajdari.

Ai shton se nuk po ka progres as në ofrimin e qasjes për personat me aftësi të kufizuara.

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi thotë se po zbatohet një projekt që do fuqizoj Komunat për ngritjen e kapaciteteve për të aplikuar qasje të suksesshme për fuqizimin e grupeve të margjinalizuara.

“Po hartojmë me Komuna dokumentin “Hartëzimin Social” që me i pa nevojat e grupeve të cenueshme në komunat e Kosovës. Në komunat me objekte të vjetra, ndoshta jo suksesshëm ofrohet qasja, por në komunat me objektet e reja, ju garantoj që ofrohen kushte. Kemi kërkuar grant specifik për shërbime sociale dhe presim amendamentimin e ligjit që të përfitojnë komunat më shumë mjete financiare. 75% e buxhetit shkon në nivelin qendror e vetëm 25% në atë lokal” – deklaroi Ibrahimi.

Ibrahimi u zotua që të diskutojë dhe analizoj rekomandimet që kanë dal nga raporti i Internews Kosova.

Ky diskutim u bë në konferencën e Internews Kosova ku u prezantua raporti “Diskriminimi sistematik në hapësira dhe punësim”.

 

Internews Kosova publikon raportin ‘Diskriminimi sistematik në hapësira dhe punësim’