Raportimet për shkeljet në konkurs, reagon KEK-u

Pas shpalljes së rezultateve për 128 pozita në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), mediat raportuan se disa prej të pranuarve janë të lidhur me partinë në pushtet – Lëvizjen Vetëvendosje.

KEK sot ka reaguar përmes një komunikate për media duke thënë se janë duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike “rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit”.

“Pavarësisht faktit se KEK ka bërë përpjekje për të respektuar kriteret e shpalljes publike si dhe dispozitat ligjore të Ligjit të Punës në fuqi dhe detyrimeve ligjore të dala nga aktet nënligjore për çështjen e rekrutimit të punëmarrësve, KEK është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit. Në këtë drejtim, KEK ju siguron se të gjithë ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit, kudo që do të ketë pasur shkelje në proces”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Lidhur me këtë, ky institucion ka inkurajuar çdo aplikues që konsideron se i janë shkelur të drejtat e garantuara me dispozita ligjore, të parashtrojë ankesë brenda afatit ligjor në komisionin e ankesave.

KEK ka njoftuar se për 17 pozita ende të pa plotësuara vazhdon procedura e rekrutimit, si dhe për 5 pozita për të cilat nuk kanë pasur kandidat të suksesshëm, do të rishpallen në një të ardhme të afërt.

Në konkursin për 150 pozita kanë aplikuar 4,668 kandidatë.

Lista me emrat e kandidatëve që janë pranuar nuk është publike në faqen e KEK-ut.

Disa prej kandidatëve që nuk u pranuan ngritën dyshimet për manipulime në këtë proces. Madje u raportuan edhe për punësim të militantëve të LVV-së.