Prokurori kërkon arrest shtëpiak ndaj të dyshuarve për bastet ilegale në Gjakovë

Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj gjashtë të dyshuarve të cilët janë arrestuar pas aksionit të policisë kundër basteve ilegale në Gjakovë është mbajtur sot

Prokurori i rastit Nazmi Krasniqi i ka propozuar Gjykatës së Gjakovë që të pandehurve të ju caktohet masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditëve.

“Arsyet ligjore për caktimin e arrestit shtëpiak janë plotësuar kushtet ligjore për organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm e gjithashtu dyshohet se kanë bërë edhe shmangie nga tatimi për të cilën kanë filluar hetimet të cilat janë në fazën fillestare. Andaj caktimi i arrestit shtëpiak konsideroj se është i arsyeshëm në këtë fazë. I propozoj gjykatës që të pandehurve të ju caktoj masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditëve”, ka thënë prokurori.

Gjatë kësaj seance, avokati Arbër Guta, i cili është mbrojtës i të arrestuarit I. B. tha se e kundërshton në tërësi një propozim të tillë nga ana e prokurorit sepse nuk ekzistojnë arsyet për caktimin e arrestit shtëpiak.

“I mbrojturi im, I. B. nuk paraqet rrezik për ikje nga shteti i Kosovës, i njëjti është mbajtës i familjes gjë që do t’ia vështirësonte ekzistencën e tij. Andaj kërkoj një masë më të butë sikurse paraqitja në stacionin policor”, ka thënë Guta.

Ndërsa, avokatja Edona Sina ka deklaruar se e kundërshton arrestin shtëpiak të klientit të tij V. M., sepse sipas saj nuk ka bazë ligjore.

“Sa i përket rrezikut të ikjes, kjo procedurë ka filluar me aksion policor ku janë konfiskuar shumë pajisje në lokalin e të mbrojturit tim V. M., andaj masën e arrestit shtëpiak ta zëvendësoj me një masë më të butë”, është shprehur avokatja Sina.

Propozimin e prokurorit të rastit e ka kundërshtuar edhe avokatja Fehmije Zhubi për klientin e saj V. P., duke thënë se Prokuroria nuk ka ofruar mjaftueshëm prova për caktimin e kësaj mase.

“I njëjti është taksist me profesion dhe familjar, andaj i propozoj gjykatës që të njëjtit t`i mundësohet mbrojtja në liri, apo masa e paraqitjes në stacion policor”, është shprehur avokatja.

Avokati Meshari Selimaj gjatë kësaj seance ka thënë se në kërkesën e Prokurorisë ekziston një mospërputhje e madhe nga arsyeja që i është bashkangjitur kësaj kërkese dhe masës se propozuar nga Prokuroria.

“Nuk ekziston rreziku se i pandehuri A. Sh., t`i shmanget përgjegjësisë penale, ndërsa dyshimi se i është shmang tatimit, nuk kemi asnjë dyshim e as arsye për këtë”, është shprehur Selimaj.

Aktvendimin për fillimin e hetimeve nuk e ka kundërshtuar avokati Bardh Maksuti për klientin e tij, J. B., por ka lutur prokurorin e çështjes që të merr masa në përshpejtimin e masave të sigurimit të provave.

“Ndaj të mbrojturit tim do të vërtetohet pafajësia e tij. Në polici i mbrojturi im nuk e ka pranuar veprën për të cilën dyshohet”, ka thënë avokati.

Avokatja Blerina Kurtaj, tha se kundërshton masën e arrestit shtëpiak ndaj të mbrojturit të saj B. S., pasi që nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

“I njëjti nuk paraqet rrezik të ikjes apo fshehjes dhe se i njëjti ka shpreh gatishmëri të bashkëpunoj me organet e drejtësisë e as të ndikojë në dëshmitar të mundshëm apo në mbledhjen e provave materiale duke pasur parasysh efikasitetin e policisë pasi që provat janë mbledhur me një urgjencë të madhe”, ka thënë avokatja.

Ajo poashtu ka shtuar se masa e arrestit shtëpiak do ta vështironte jetesën e familjes se klientit të saj pasi që është mbajtës i familjes dhe se i njëjti së shpejti do të martohet.

KALLXO.com ka raportuar për aksionin e policisë në Gjakovë.