Arrestim i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Rrahu një 16-vjeçar dhe iku, policia arreston 17-vjeçarin në Ferizaj

Policia e Kosovës ka arrestuar një 17-vjeçar në Ferizaj, i cili ishte në kërkim për rrahjen e një 16-vjeçari.

Sipas njoftimit të policisë, dy ditë më parë, pas një marrëveshje i arrestuari i kishte shkaktuar lëndimet të rënda trupore 16-vjeçarit, i cili kishte përfunduar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. 

I dyshuari kishte ikur nga vendi i ngjarjes. Por, gjatë pasdites së sotme ai është identifikuar dhe arrestuar nga policia. 

“Policia e ka shoqëruar të dyshuarin me inicialet D.SH, 17 vjeçar në stacionin policor në Ferizaj dhe pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i njëjti është ndaluar në mbajtje për 24 orë për procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në njoftimin e policisë.