Komuna e Agim Bahtirit Politizon Bordin e Pastrimit

Komuna e Mitrovicës e ka politizuar bordin e Kompanisë Rajonale Mbeturinave (KRM)  “Uniteti”. Komisioni Komunal i Aksionarëve i kësaj kompanie e ka emëruar Fidane Hasanin dhe Rrahman Grepin si anëtarë të bordit të kësaj kompanie.

Fidane Hasani është anëtare e kryesisë së “Aleanca Kosova e Re”. Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri është nga kjo parti. Hasani një kohë ka qenë kryetare e forumit rinor të AKR-së në Mitrovicë dhe koordinatore e forumit të gruas në AKR-në e Mitrovicë.

Ndërsa Rrahman Grepi ka qenë anëtar i kryesisë së forumit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dega në Mitrovicë.

AKR dhe LDK, bashkë me Partinë e Drejtësisë, përbëjnë koalicionin qeveritar në këtë komunë.

Bordi i kompanive Rajonale ka kompetenca për miratimin e planit të biznesit të saj dhe zgjedhjen dhe shkarkimin e drejtorit ekzekutiv të kompanisë.

E kontaktuar nga KALLXO.com, Fidane Hasani e pranoi se është anëtare e kryesisë së partisë së kryetarit Agim Bahtiri, Aleancës Kosova e Re por kjo, sipas saj, nuk është pozitë udhëheqëse.

“Momentalisht jam vetëm anëtare e Kryesisë së AKR-së dega në Mitrovicë dhe jam distancuar nga pozitat udhëheqëse në parti”, ka thënë Hasani.

Përkundër kësaj, ajo thotë se është përzgjedhur në bordin e kompanisë për shkak të shkollimit dhe përvojës së saj.

“Në bordin e Unitetit nuk jam përzgjedhur pse jam pjesë e AKR-së po për shkak të përvojës sime në udhëheqje në lëmin e ekonomisë pasi që jam e diplomuar në master e Fakultetit Ekonomik”, tha Hasani.

Fidane Hasani ka hequr dorë nga angazhimi në Forumin e Gruas të AKR-së muajin e kaluar. Por ka mbetur në kryesi të degës.
Fidane Hasani ka hequr dorë nga angazhimi në Forumin e Gruas të AKR-së muajin e kaluar. Por ka mbetur në kryesi të degës.

Edhe Rrahman Grepi e pranon se ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo parti është në koalicion me AKR-në. Koalicioni ishte lidhur para raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës duke i ndihmuar Bahtirit të bëhet kryetar i kësaj komune.

“Unë kam qenë pjesë e forumit të LDK-së në Mitrovicë në mandatin e kaluar në momentin e emërimit tim në bordin e kompanisë ‘Uniteti’ jam tërhequr, sepse jam jurist dhe e di që bie ndesh me ligjin me vazhdu me aktivitete partiake”, tha Grepi.

Zgjedhja e dyshimtë e anëtarëve të bordit të kompanisë rajonale

Kjo fotografi e publikuar më 22 shtator 2016 dëshmon aktivitetin aktiv partiak të Fidane Hasanit (e dyta nga e majta) në AKR. Foto: Facebook
Kjo fotografi e publikuar më 22 shtator 2016 dëshmon aktivitetin aktiv partiak të Fidane Hasanit (e dyta nga e majta) në AKR. Foto: Facebook

Për Kallxo.com, Grepi ka thënë se për përzgjedhjen e tij në bordin e kompanisë më mirë do të ishte që të pyetet komisioni i aksionareve të cilët e kanë zgjedhur.

Në ueb-faqen e Komunës së Mitrovicës thuhet se pjesë e Komisionit të Aksionarëve të Kompanisë Rajonale Mbeturinave (KRM) “Uniteti”, të cilët kanë vendosur për punësimin e tyre, është Vesel Neziri, kryesues dhe anëtarët Naim Hajra e Merita Shyti. Vesel Neziri është asamblist në Kuvendin Komunal nga Partisë e Drejtësisë, Merita Shyti është asambliste nga PDK-ja dhe Naim Hajra, drejtor i drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës.

Merita Shyti, anëtare e komisionit të aksionareve nga komuna e Mitrovicës, thotë së nuk ka qenë prezente në mbledhje kur janë emëruan këta dy anëtarë.

“Unë nuk kam qenë në atë mbledhje kur janë zgjedhur këta dy anëtarë. Me vonë kam dëgjuar se të dy personat që janë zgjedhë i përkasin partive të pushtetit në Mitrovicë”, tha Shyti për KALLXO.com.

Rrahman Grepi, në një fotografi të këtij viti, gjatë kohës sa ishte i angazhuar politikisht me LDK-në. Foto: Facebook
Rrahman Grepi, në një fotografi të këtij viti, gjatë kohës sa ishte i angazhuar politikisht me LDK-në. Foto: Facebook

Mos-praninë e anëtares Shyti në mbledhjen në të cilën janë zgjedhur anëtarët e rinj të bordit të kompanisë ‘Uniteti’ e konfirmon edhe kryesuesi i këtij komisioni Vesel Neziri, i cili është asamblist i Partisë së Drejtësisë. Kjo parti udhëheq me një drejtori  në pushtetin e kryetarit Bahtiri. Vetëm kryesuesi i komisionit Veseli dhe anëtari Naim Hajra kanë marrë pjesë në mbledhjet ku janë zgjedhur dy anëtarë të bordit të kompanisë. Kryesuesi Veseli thotë se meqë komisioni i ka tre anëtarë, vendimet mund të merren edhe me vetëm dy anëtarë të pranishëm, me kushtin që ata të dy të votojnë ‘pro’ kandidaturave.

E njëjta edhe ka ndodhur.

“Unë kam kërkuar që të hapet konkurs dhe në bord të zgjedhën persona meritorë, sepse gjendja në atë kompani nuk është e mirë, punëtorët me nga disa muaj nuk marrin rroga po askush nuk ka pas vullnet që këto gjera t’i shtyjnë përpara. Nëse kjo gjendje vazhdon kështu unë do largohem nga udhëheqja e këtij komisioni”, theksoi Veseli.

Veseli thotë se gjatë kohës sa anëtarët të bordit të kësaj kompanie nga Mitrovica nuk kanë qenë prezentë është zgjedhur kryesuesi i ri i bordit të kompanisë ‘Uniteti’.

Në anën tjetër, kryesuesi i bordit të kompanisë Remzi Ahmeti, i cili është anëtar nga komuna e Vushtrrisë, e tregon rrëfimin e tij për mënyrën e zgjedhjes së tij në krye të bordit.

“Kur ka dhënë dorëheqje Ukshin Rrecaj bordi ka mbetur pa kryesues, komuna e Mitrovicës është vonuar në përzgjedhjen e dy anëtarëve dhe unë jam zgjedhur kryesues bordi, komisioni i aksionarëve nuk e ka të drejtën të përzihet në punën e brendshme të bordit”, tha Ahmeti.

Shkelja e ligjit

KALLXO.com e ka pyetur edhe Komunën e Mitrovicës. Ata thonë se gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të Drejtorëve të KRM Uniteti, janë respektuar procedurat dhe përzgjedhja është bërë në harmoni të plotë me Ligjin për Shoqëritë Tregtare dhe Ligjin për ndërmarrjet publike.

“Bazuar në Udhëzimin Administrativ nr. 03/2009 për mënyrën e përfaqësimit të Komunave në Bordet e Drejtorëve të Ndërmarrjeve Publike Lokale, sipas së cilës Komunës së Mitrovicës si aksionare me 61.4 % i takojnë dy anëtar të bordit, Komisioni Komunal i Aksionarëve nga Komuna e Mitrovicës ka bërë përzgjedhjen e dy anëtarëve të bordit”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Mitrovicës.

Politizimi i bordeve të ndërmarrjeve publike është i ndaluar me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Neni 16 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike e rregullon mënyrën dhe kushtet që duhet të plotësohen për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të kompanive rajonale.

“Asnjë person nuk mund të propozohet ose të zgjidhet për një pozitë të drejtorit nëse nuk i përmbush kushtet e kualifikimit, pavarësisë dhe të përshtatshmërisë profesionale të përcaktuara në paragrafët 1-3 të nenit 17 të këtij ligji”, thuhet në paragrafin e pestë të nenit 16.

Kurse, në këtë dispozite të ligjit përmenden rastet kur një person nuk mund të bëhet drejtor në bordin e një ndërmarrjes.

“…një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse… është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në paragrafin 2 të nenit 17 të ligjit.

Kohë më parë, emisioni “Drejtësia në Kosovë” pati raportuar hulumtimin për Ukshin Rrecaj, menaxherin e Administratës Tatimore të Kosovës në Mitrovicë,  i cili edhe pse s’kishte pasur leje nga shefat e tij të ATK-së në Prishtinë për disa vjet e kishte ushtruar paralelisht edhe funksionin e kryetarit të bordit të kompanisë ‘Uniteti’. Rrecaj një kohë ka qenë asamblist i PDK-së në Mitrovicë.

http://kallxo.com/konflikti-interesit-si-burim-perfitimi-ne-kompanine-e-mbeturinave/

Gjatë këtij emisionit kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri ishte shprehur tejet i pakënaqur me bordin e kompanisë së pastrimit të mbeturinave që atë kohë udhëhiqej nga Ukshin Rrecaj. Por disa muaj pas emisionit komuna ku Bahtiri është kryetar vendosi bashkë partiaken e tij në këtë bord.