OSBE organizon kurse për gjuhët shqipe dhe serbe në Obiliq

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka nisur kurse tremujore të gjuhës shqipe dhe serbe për të rinj shqiptarë, serbë, boshnjakë dhe romë nga komuna e Obiliqit.

Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, 20 të rinj serbë, boshnjakë dhe romë ndoqën orën e parë të mësimit të gjuhës shqipe më 18 mars në fshatin Plemetin, ndërsa grupi prej 11 shqiptarëve nisën kursin e gjuhës serbe më 21 mars. Kurset po e ndjekin edhe Nënkryetari i Komunës për Komunitete, Kryesuesi i Komitetit për Komunitete, Drejtori i Qendrës Rinore dhe Kryetari i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal të Obiliqit.

“Për tre muaj, kursistët do të kenë mundësinë e rrallë për t’u njohur me gjuhën e moshatarëve të tyre nga komunitetet tjera. Meqë aktivitetet e tilla ende nuk janë pjesë e sistemit formal të arsimit, mësimi jashtëkurrikular i gjuhëve ndihmon të rinjtë e komuniteteve të ndryshme të marrin njohuri bazë për gjuhën e njëri-tjetrit, duke mundësuar kështu komunikim më të lehtë dhe kapërcim të barrierave gjuhësore”, thuhet në njoftim.

“Jam shumë i kënaqur me këtë nismë, sidomos pasi që shumë të rinj kanë treguar interesim për të mësuar gjuhën e njëri-tjetrit”, tha citohet të ketë thënë nënkryetari i Komunës për Komunitete në Obiliq, Slavisha Jakovljeviq, duke shtuar se megjithëse flet pjesërisht gjuhën shqipe, ka vendosur të marrë pjesë për t’i nxitur të tjerët që të ndjekin kurset.

Bëhet e ditur se ky aktivitet është rezultat i Deklaratës Ndër-Komunale të nënshkruar në vitin 2016, ku komunat e Prishtinës, Graçanicës, Shtimes, Lipjanit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit u zotuan që të rrisin bashkëpunimin e tyre në çështjet ndërmjet komuniteteve, veçanërisht ndërmjet të rinjve.

Kurset kanë filluar në mars dhe do të vazhdojnë deri në qershor 2019.