Simulimi i ushtrimit fushor 'Shqiponja 6' në liqenin e Badovcit, Foto: Kallxo.com

Neutralizimi i minave që rrezikonin shpërthimin e pendës së liqenit të Badovcit (Simulim)

Në ditën e katërt të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, më 7 maj 2018, është simuluar situata se nga Policia e Kosovës ka ardhur një informacion se gjatë orëve të hershme të mëngjesit, roja e pendës së liqenit të Badovcit ka vërejtur disa individë duke u afruar me barkë në afërsi të liqenit të Badovcit dhe duke bartur një kuti të zezë.

Sipas skenarit, roja ka njoftuar Policinë e Kosovës, ndërsa njerëzit e panjohur kanë ikur nga vendi i ngjarjes, duke e lënë barkën me kutinë e dyshuar në ujë në afërsi të pendës.

Dyshohet se qëllimi ka qenë të shkatërrohet penda e liqenit të Badovcit.

Si vazhdim i simulimit të kësaj situate, dislokohet ekipi me njësi të kombinuara, njësiti për reagim të shpejtë, kërkim-shpëtimi në ujë dhe njësiti i specializuar për mjete shpërthyese EOD.

Trupat e reagimit të shpejtë vendosin perimetrin e sigurisë ndërsa ekipet specialiste koordinojnë veprimet.

Nga vëzhgimi i njësiteve të FSK-së, vërehet se në barkën e kamufluar pranë mbeturinave gjenden tri ose katër mina anti-tank.

Nëse shpërthejnë këto mina mund të kenë diametër vrasës 100 për qind deri në 100 metra ndërsa dëme më të vogla mund të shkaktojnë deri në 300 metra.

Në ditën e parë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, më 3 maj të këtij viti, 700 ushtarë janë dislokuar dhe janë vendosur në kampin fushor në Koliq.

Në ditën e dytë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, është simuluar një krizë në rajonin e Batllavës ku si rezultat i reshjeve të vazhdueshme është rritur niveli i ujit në liqen. Në mënyrë që mos të ketë dëmtime edhe më të mëdha, zyrtarët kanë hapur kanalin dhe kanë lejuar sasi të mëdha të ujit të dalin në lum.

Në ditën e tretë, në ushtrimin fushor ‘Shqiponja 6’, janë simuluar situata ku është dyshuar se grupet kriminale mund të kenë vendosur mjete të helmuara në afërsi të liqenit të Batllavës. Po ashtu, pjesë e këtij ushtrimi kanë qenë edhe rastet kur grupet kriminale kanë tentuar të bllokojnë lëvizjet e trupave tona në zonën e operacionit duke vendosur barrikada në rrugë.

Ka pasur edhe simulim të rasteve ku një familje ka pasur nevojë për ndihmë dhe evakuim nga thellësia e liqenit të Badovcit.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar ushtrimin fushor “Shqiponja 6” në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe sipas standardeve më të larta të NATO-s.

Përpos trupave të FSK-së, pjesëmarrës në ushtrimin fushor “Shqiponja 6” kanë qenë edhe efektivët ushtarakë nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, ShBA-ja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe KFOR-i.

Ky është episodi i katërt i serisë së emisioneve speciale për FSK-në, KALLXO Forca.

Më poshtë mund të gjeni xhirime ekskluzive të realizuara nga KALLXO.com në bashkëpunim me FSK-në kuadër të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’.