Në Mars Çmimet më të Larta për 0.1 Për Qind

Të dhënat dolën nga “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit – IHÇK” i publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Ngritje të çmimeve për këtë periudhë ka pasur te pemët me 3.4 për qind, shërbimet e transportit janë rritur për 2.5 për qind si pasojë e ngritjes së çmimit të biletave të aeroplanit, ndërsa përdorimi i pajisjeve për transportin personal është rritur me 1.6 për qind, kjo ka ndodhur si pasojë e ngritjes së çmimit të naftës dhe benzinës, ndikimi i përbashkët i këtyre në IHÇK është 0.4 për qind.

Ky indeks në periudhën shkurt 2016-mars 2016 është neutralizuar kryesisht nga rënia e çmimeve për qumësht, djathë dhe vezë me -1.4 për qind, perime me -1.6 për qind, rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera me -1 për qind, kjo ka ardhur nga rënia e çmimit të drunjve të zjarrit, ndikimi i përbashkët i këtyre në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit është -0.3 për qind.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin mars 2016 me të njëjtin muaj të vitit 2015 ishte 0.1 për qind.

Indeksi i çmimeve është më i lartë për 0.1 për qind, edhe kur krahasohet marsi i këtij viti me marsin e vitit të kaluar.

Sipas ASK-së kur krahasohet marsi 2016 me atë të 2015-ës ngritja e çmimeve kryesisht është vërejtur te pijet alkoolike me 15.5 për qind, duhani me 11 për qind, sheqeri dhe ëmbëlsirat me 8.9 për qind, vajrat dhe yndyrat me 7.7 për qind dhe çmimet tjera me një ndikim të përbashkët prej 1.7 për qind në IHÇK.

Ngritja për periudhën mars 2015-mars 2016 u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve për perime me -7.8 për qind, furnizimi me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin me -6.7 për qind, bukë dhe drithëra me -1.8 për qind, qumësht, djathë dhe vezë me -1.2 për qind, kjo ka ndikuar si rezultat i përshkallëzimit të TVSH-së me 8 për qind, apo me një ndikim të përbashkët prej -1.6 për qind në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit.

Ndërsa, ky indeks në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014 ka pasur rënie të çmimeve me një mesatare prej 0.5 për qind.

http://kallxo.com/jete-me-e-lire-per-0-5-per-qind