Sokol Morina, i dënuar për bashkim me organizatën terroriste 'Al-Nusra'

Në Apel Ankesa e Prokurorisë për të Dënuarin në Lidhje me ‘Al Nusran’

Në Gjykatën e Apelit është shqyrtuar sot ankesa e prokurorisë në lidhje me dënimin e Sokol Morinës që akuzohej për bashkim me organizatën “Al-Nusra”.

Prokurori Sylë Hoxha tha për KALLXO.com se është ankuar për këtë rast në Gjykatën e Apelit, pasi nuk ishte i kënaqur me dënimin e Morinës nga Gjykata Themelore në Pejë.

Sipas Hoxhës, dënimi i shqiptuar me kusht nuk ka qenë proporcional, ndërsa prokurori deklaroi tha se nuk ka vërejtur rrethana që të zbutet dënimi deri në atë masë nga Gjykata në Pejë.

Më 6 korrik të vitit të kaluar Morina u dënua me tre vjet burg me kusht për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste në Siri gjatë vitit 2013-2014.

Prokuroria pretendonte se Sokol Morina e Alban Shala në mesin e vitit 2013 udhëtuan nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll, prej ku më pas vazhduan rrugën për në qytetin Hataj, ku edhe kishin kaluar kufirin turko-sirian ilegalisht dhe kishin shkuar në kampin stërvitor të “Al Nusra”-s në qytetin e Alepos, ku edhe ishin rekrutuar.

Sipas aktakuzës, pas disa luftimesh në qytetin sirian Alepo, Morina ishte plagosur në gju dhe për këtë arsye ishte kthyer përkohësisht në Kosovë, për t’u shëruar. Është kjo kohë kur kishin lindur dyshimet e para të prokurorisë për aktivitetin e tij.

http://kallxo.com/gjykata-e-pejes-vendosi-per-te-dyshuarin-per-lidhje-al-nusra/