Zyrtare: Çeferin president i UEFA-s edhe për katër vite

Presidenti aktual i UEFA-s, Aleksander Çeferin do të vazhdojë të jetë në krye të futbollit europian edhe për katër vite, pasi u rizgjodh për një mandat të dytë në Kongresin e rregullt të UEFA-s që po mbahet në Romë.

Në këtë kongres kanë marrë pjesë presidenti i FFK-së Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu.

51-vjeçari slloven për herë të parë u zgjodh në krye të UEFA-s në shtator të vitit 2016, derisa sot u votua me aklamacion nga 55 anëtarët e UEFA-s për mandatin e ri katërvjeçar. Ai pasi mori besimin e federatave anëtare të UEFA-s u zotua për unitet, respekt dhe solidaritet në vazhdimin e punës së tij.

“Faleminderit edhe njëherë për besimin tuaj. Jam i emocionuar, por njëherësh edhe i nderuar për besimin e dhënë. Futbolli do të mbetet i respektuar nga të gjithë”, ka thënë Çeferin pas rizgjedhjes si president i UEFA-s.