Viti 2017, më i Sigurti për Fluturime

2017 ishte viti më i sigurt në histori për linjat ajrore komerciale, sipas hulumtimit të industrisë.

Askund në botë nuk u rrëzua ndonjë aeroplan i pasagjerëve, tregojnë raporte të veçanta të kompanisë holandeze të konsulencave To70 dhe Rrjeti i Sigurisë së Aviacionit.

Kjo ishte pavarësisht se kishte fluturime më shumë se kurrë më parë.

Por To70 paralajmëroi se pavarësisht niveleve të larta të sigurisë në avionët e pasagjerëve, norma “jashtëzakonisht e ulët” e aksidentit duhet të shihet si “fat i mirë”.

Sipas një raporti të Rrjetit të Sigurisë Ajrore, vitin e kaluar ndodhën gjithsej 10 aksidente me 79 viktima, krahasuar me 16 aksidente dhe 303 të vdekur më 2016.

Aksidenti më serioz më 2017 ndodhi në janar kur një avion mallrash nga Turqia u rrëzua në një fshat në Kirgizi, me ç’rast vdiqën 4 personat që gjendeshin në të dhe 35 persona në tokë.

Përmirësimi i sigurisë

Vdekjet nga aksidentet e aviacionit kanë qenë vazhdimisht në rënie në dy dekadat e fundit, raporton BBC.

Në 2005, ka pasur më shumë se 1,000 të vdekur nga aksidentet e fluturimeve komerciale të pasagjerëve në mbarë botën, tha Rrjeti i Sigurisë së Aviacionit.

Aksidenti i fundit vdekjeprurës i pasagjerëve në avion ndodhi  në nëntor 2016 në Kolumbi dhe avioni i fundit i pasagjerëve komercial me më shumë se 100 vetë u rrëzua në Egjipt një vit më parë. /BBC