Trefishohet çmimi i biletave për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës

Federata e Futbollit të Kosovës, në ndeshjet kualifikuese të përfaqësueses së Kosovës në futboll për Euro 2020, ka vendosur për rritjen e çmimit të biletave në të gjithë sektorët e stadiumit.

Në ndeshjen e fundit ndaj Azerbajxhanit që ishte luajtur me 20 nëntor, biletat kishin dalur në shitje 5 ditë përpara ndeshjes, me 15 nëntor.

Ndërsa nëse e krahasojmë çmimin e biletave vërehet që ka rritje të çmimit, dhe ndryshim të çmimit varësisht nga tribunat e stadiumit.

Në ndeshjen e kaluar në lindje ka qenë çmimi fiks në të gjithë zonën, ndërsa tash ndryshon varësisht sipas tribunës.

Gjithashtu edhe në perëndim të stadiumit, çmimi ka qenë fiks ndërsa tash është ndarë në 7 tribuna.

Në veri dhe jug të stadiumit “Fadil Vokrri” bileta ka qenë 2 euro, ndërsa tash në dy ndeshjet e radhës në këto zona do të jenë 5 euro.

Në lindje do të ketë çmim të ndryshëm, në tribunat L1 dhe L4 do të jenë nga 10 euro, ndërsa L2 dhe L3 do të jenë nga 15 euro.

Në ndeshjen ndaj Azerbajxhanit në këtë zonë të stadiumit kanë qenë në të gjitha tribunat nga 3 euro.

Në perëndim të “Fadil Vokrrit”, në ndeshjen e fundit bileta ishte 5 euro, e në pjesën qendrore ishte 10 euro.

Tash në ndeshjet e radhës Federata i ka ndarë edhe tribunat, ku në perëndim P1 pjesa e poshtme dhe P2, P3, P4 dhe P5 pjesa e poshtme do të kushtojnë nga 15 euro, kurse P1 pjesa e sipërme dhe P5 poashtu pjesa e sipërme do të jenë nga 20 euro.

Bazuar në këto çmime, mesatarja e një bilete në ndeshjen e kaluar ka qenë 4.25 euro, kurse tash për dy ndeshjet e ardhshme mesatarja është 13.4 euro, që ka trefishim të çmimeve.

Në zonën VIP të stadiumit në dy ndeshjet e ardhshme ndaj Danimarkës dhe Bullgarisë biletat do të kushtojnë nga 80 euro, e në ndeshjen e fundit ndaj Azerbajxhanit nuk ishte bërë e ditur se sa kishin kushtuar.