Foto: Komuna e Prishtinës, Trafiku Urban

Çmimi i biletës në Trafikun Urban në Prishtinë bëhet 50 centë

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që të ndryshojë çmimoren për autobusët e Trafikut Urban.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se në kuadër të marrëveshjes së kredisë me Trafikun Urban në Prishtinë dhe Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), ka riorganizuar planin e tarifimit.

Sipas njoftimit, çmimi i biletës mujore nga 14 euro të zbresë në 13.50 euro dhe për t’iu përshtatur nevojave të të gjithë qytetarëve, planin tarifor janë përfshirë edhe biletat javore dhe ditore shumëpërdorimëshe.

“Në anën tjetër, për t’iu përshtatur nevojave të të gjithë qytetarëve, kemi përfshirë në planin tarifor biletat javore dhe ditore shumëpërdorimëshe; Bileta Ditore përfshin udhëtime vajtje-ardhje pa limit përgjatë 24 orëve, me çmimin 0.80€; Bileta Javore përfshin udhëtime vajtje-ardhje pa limit në të gjitha ditët e javës, me çmimin 4.00€”- bën të ditur Komuna.

Më tej, në njoftim bëhet e ditur se një biletë e rregullt autobusi, e cila mund të përdoret vetëm për një drejtim, do të ketë çmimin 0.50€.

“Kartelat javore dhe mujore mund t’i bleni në pikat e shitjes së Trafikut Urban: Kioska me logon e Trafiku Urban, prapa Objektit të Komunës së Vjetër (tek “Plepat”) dhe tek Kioska me logon e Trafiku Urban, në lagjen Kodra e Diellit, tek ”Banesat e Bardha”- thuhet mes tjerash në njoftim.

Ky plan tarifor sipas njoftimit të Komunës do të aplikohet nga data 31 janar 2023.