Trofeu i Kupes se Kosoves i ekspozuar ne ambientet e KF 'Llapi". Foto: Facebook/FK 'Llapi'

Gabim amatoresk në mbishkrimin e Trofeut të Kupës së Futbollit të Kosovës (FOTO)

Trofeu i fituesit të Kupës në Futbollin e Kosovës, ka një gabim qesharak drejtshkrimor. KALLXO.com e konfirmoi se ky gabim është i vjetër, ka disa vjet, por që nuk është evituar ende. Fjala ‘futboll’ është shkruar ‘fudboll’. Pra në vend të shkronjës T, në mes të fjalës (FUTBOLL) me gdhendje është shkruar shkronja D duke e bërë futbollin – fudboll.

Federata e Futbollit të Kosovës, u ka dhënë vit për vit këtë trofe, të gjitha klubeve fituese me radhë.

Klubi i Futbollit “Llapi” nga Podujeva ka fituar të mërkurë Kupën e Kosovës në Futboll dhe trofeun e ka ekspozuar në faqen zyrtare të klubit në Facebook, ku fare mirë shihet gabimi i bërë në mbishkrimin që mbartë Kupa.

I kontaktuar nga KALLXO.com, trajneri i KF “Llapi” Tahir Batatina, ka konfirmuar se Kupën e kanë pranuar me atë gabim.

“E vërtetë që emri është me D (fudboll) e jo me T (futboll), siç duhet të ishte, por federata ka dhënë sqarime dhe premtime se do ta përmirësoj gabimin”, ka thënë Batatina trajner i K.F Llapi.

Batatina ka thënë se iu është konfirmuar se trofeu i kupës është i vjetër dhe me këtë emër është bartur nga për vite nga një klub në tjetrin, por thotë se ka marrë premtime se ky gabim që do të rregullohet.

Ndërsa, Eroll Salihu, sekretar i FFK-së, në një bisedë të shkurtër përmes telefonit ka thënë për KALLXO.com se nuk ka shumë informata rreth gabimit në trofeun e Kupës, duke thënë se do përmirësojnë.

“E përmirësojmë, s’është punë e madhe. Ajo (Kupa) është e argjendit, është punë dore dhe përmirësohet. Jam në pushim dhe nuk kam shumë informata, por s’është problem që s’rregullohet”, ka thënë sekretari Salihu.

FK “Llapi” për këtë vit ka fituar të mërkurën Kupën e Kosovës në futboll pasi në finale mposhti “Dukagjinin”, pas ekzekutimit të penaltive.

Trofeu i Kupës së Kosovës i ekspozuar në ambientet e KF “Llapi”. Foto: Facebook / FK Llapi