Foto: KALLXO.COM

Stavileci: Prishtina do të hyj në javën më të rëndësishme

KB Prishtina, sot ka mbajtur konferencë për media, gjatë së cilës njoftuan se që nga sot do të filloj kampanja e cila për synim e ka t’i nxisë qytetarët dhe tifozët e Prishtinës, për lojën ndaj ekipit italian Pallacanestro Varese, që e luan të mërkurën me 6 mars prej orës 20:30. Kjo ndeshje luhet në kuadër të fazës së eliminimit direkt në FIBA Challange Cup.

Presidenti i klubit Blerand Stavileci, tha se Prishtina po hynë në javët më të rëndësishme të saj.

“Hyjmë në javët më të rëndësishme të klubit tonë me garat përfundimtare ku kemi arrit një sukses të jashtëzakonshëm duke hyrë në klubet më të suksesshme. Javët tjetër kemi garën me klubin italian dhe nuk besoj që ndonjëherë ka pasur një ekip me kaq trofe që të shkelë në parketin tonë”, tha Stavileci fillimisht.

Ai poashtu e potencoi edhe pjesëmarrjen e Prishtinës në Kupën e Kosovës, ku sot do të luajnë gjysmëfinalen ndaj KB Yllit.

“Jemi duke marrë pjesë edhe në garat final 8. Në kemi dashur ta mbajmë atmosferën në nivel sidomos në vigjilje të ndeshjes kunder Vareses. Qysh nga sot do ta lansojmë një kampasnjë ku për ndryshim nga prezenca e publikut herave tjera, kësaj radhe të jetë më e mirë, më e mbushur. Do ti shfrytëzojmë këto 6-7 ditët e fundit të përgatisim një garë të bukur”, tha Stavileci.

Presidenti i klubit tha se rezultatet e mira të KB Prishtinës, ia kanë hapur rrugët skuadrës nga kryeqyteti që në sezonet e ardhshme mund të marrrë pjesë në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve.

“Si një ekip i vogël nëse krahasohemi me ekipet e vendeve tjera por me një zemër të madhe të përkrahur nga plisat që janë tifozët më të mirë t’iu ofrojmë diçka të paharrueshme. Ekipi i Vareses është një ekip pak më lartë se të tjerat por nuk bëjmë kalkulime se sa do arrijmë. Nuk duhet të rrisim pritjet sepse nuk është e lehtë ta mposhtim Vareses. Rezultatet që kemi arritë i kanë hapë derën Kosovës për Ligën e Kampionëve dhe kjo do ishte gjë e madhe për ne”, shtoi Stavileci.

Kurse, drejtori i klubit Florian Miftari, pret sot fitore ndaj KB Yllit në gjysmëfinalen e kupës së Kosovës dhe shpreson që mos të kenë lëndime.

“Shpresoj që sot të ndahemi me fitore. Shpresoj që deri atëherë të mos kemi ndonjë lëndim sepse në sport ka gjëra të paparashikueshme. Jemi në top 16 tashmë dhe objektivat tash janë kupa e Kosovës dhe kampionati”, tha Miftari.

Krejt në fund Presidenti Blerand Stavileci, Drejtori i klubit Florian Miftari dhe anëtarët e bordit Lulzim Ibrahimi dhe Shkelzen Fetiu, prezantuan një nga idetë që do të shpërndahet në rrjetet sociale prej sot e deri të mërkurën, motoja do të jetë #PRready44more.