FBK reagon pas sulmit ndaj autobusit të KB Prishtina mbrëmë në Pejë

Federata e Basketbollit të Kosovës ka reaguar lidhur me sulmin ndaj KB Prishtina.

Në reagimin e Federatës thuhet se Federata e dënon ashpër incidentin e ndodhur para ndeshjes KB Peja-KB Prishtina.

“Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e dënon ashpër incidentin që ka ndodhur mbrëmë para ndeshjes së dytë çerekfinale të Final 8 Kupës së Kosovës, kur është sulmuar nga persona të panjohur deri më tani, autobusi i skuadrës së Sigal Prishtinës para palestrës “Karagaçi” në Pejë” thuhet në reagimin e FBK-së.

Federata ka kërkuar nga organet kompetente që të identifikohen personat që sulmuan autobusin.

“Federata e Basketbollit e Kosovës kërkon nga organet e rendit që të bëjnë përpjekje maksimale për të identifikuar këta persona në mënyrë që të tillët të mos kenë më vend në palestrat e sportit në vendin tone” thuhet tutje në reagim.

Po ashtu Federata e Basketbollit të Kosovës janë të zotuar që të sigurojnë ekipet, tifozët dhe të gjithë aktorët e tjerë.

“Federata e Basketbollit e Kosovës dhe organizatori i Final 8 Kupës së Kosovës, KB Peja janë zotuar se organizimi i këtij eventi prestigjioz do ta ketë sigurinë më të lartë të mundshme, duke filluar nga ekipet, tifozët e të gjithë akterët e tjerë që janë të përfshirë në të” thuhet në komunikatën e FBK-së.

KALLXO.com gjatë mbrëmjes së djeshme ka kontaktuar Policinë në Pejë për të marrë një informatë lidhur me incidentin.