Perparim Rama

Rama: Dhuna e mbrëmshme zbehu edhe gëzimin për fitoren e 'KB Prishtina'

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar për dhunën e mbrëmshme në ndeshjen e basketbollit mes KB Prishtinës dhe KB Trepça.

Rama tha se kjo dhunë është e papranueshme dhe nuk ka vend në kryeqytet e askund tjetër.

Gëzimi për fitoren e supërkupës nga KB Prishtina, Rama thotë se u zbeh nga dhuna e shfaqur.

“Sporti ka të bëjë me shpirtin garues në frymë tolerance e respekti reciprok, prandaj u bëj thirrje edhe tifozëve që ta kultivojnë një frymë të tillë.” – përfundoi ai.

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka njoftuar mbrëmë se kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, është ftuar të hënën për të raportuar para institucioneve rreth incidentit në ndeshjen finale ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës.

FBK e ka dënuar dhunën dhe huliganizmin në basketboll që ka ndodhur mes tifozëve gjatë ndeshjes finale Sigal Prishtina-Trepça.

“FBK do të analizojë ndeshjen e sotme dhe do të marrë masat e nevojshme. Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, është ftuar të hënën për të raportuar para institucioneve rreth incidentit të fundit” – ka njoftuar Federata përmes Facebookut.

Nga kjo ndeshje, KB Prishtina fitoi supërkupën përball klubit nga Mitrovica – KB Trepça.