Sulmohet autobusi i KB Prishtina, Policia jep detaje

Autobusi i klubit të basketbollit Prishtina është sulmuar nga tifozët e klubit Trepça.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Fadil Gashi zyrtar për informim i Policisë në Pejë.

“Diku pas orës 19:00, deri sa autobusi i Klubit Basketbollistik KB Prishtina ishte duke u parkuar afër palestër sportive është sulmuar nga persona të dyshuar, tifozë të klubit basketbollistik KB Trepça, “Torcidat””, ka thënë Gashi.

Po ashtu Policia ka konfirmuar se nga sulmi me mjete të forta është thyer xhami i derës së shoferit të autobusit dhe shoferi ka pësuar lëndime.

Nga lëndimet e marra, shoferi ka pranuar tretman mjekësor.

Policia është në vend të ngjarjes dhe së bashku me njësitë e tjera po e hetojnë rastin.