Sonte zhvillohet gjysmëfinalja e parë, Francë-Belgjikë

Sonte, me fillim nga ora 20:00 në stadiumin e Shën Petersburgut zhvillohet gjysmëfinalja e parë në “Kupën e Botës” në mes të Francës dhe Belgjikës.

Franca ka arritur në gjysmëfinale pasi ka mposhtur kombëtaren e Uruguait me rezultat 2 me 0 kurse Belgjika nga ana tjetër e ka eliminuar pesë herë kampionin e botës, Brazilin me rezultat 2 me 1.

Gjysmëfinalja në mes Francës dhe Belgjikës do të referohet nga Andres Cunha nga Uruguai. Cunha ka referuar dy ndeshje në këtë turne, ndeshjen e Grupit C mes Francës dhe Australisë dhe ndeshjen e Grupit B mes Iranit dhe Spanjës.

Në ndeshjet që kanë zhvilluar kokë më kokë këto dy kombëtaret gjysmëfinaliste, Franca ka shënuar dy fitore.

Herën e fundit kur këto dy kombëtare janë ndeshur ishte në vitin 1986 në kampionatin botëror që ishte zhvilluar në Meksikë. Në atë rast, Franca kishte fituar me rezultat 4 me 2 pas vazhdimeve, pasi koha e rregullt kishte përfunduar me rezultat 2 me 2. Belgjika ka arritur përsëri në gjysmëfinale pas 32 viteve dhe ka mundësinë për të vazhduar më tutje udhëtimin e saj drejt kampionit të botës.

Në katër ndeshjet e fundit të Belgjikës, nga pesë ndeshje sa ka zhvilluar në total, lojtarët e saj kanë shënuar 2.5 gola për ndeshje.

Lojtari i “Djajve të kuq”, Romelu Lukaku radhitet në vendin e dytë në garë për “Këpucën e Artë”, me gjithsej 4 gola të shënuar.

Kylian Mbappe dhe Antoine Grizman kanë shënuar gjashtë nga nëntë golat e shënuar nga Franca në fazat e kaluara të “Kupës së Botës” që po zhvillohet në Rusi, nga tre secili.