Pellegrini për Klopp: Është mësuar të fitoj me gola nga 'offside'

Ndeshja e mbrëmshme ndërmjet West Hamit dhe Liverpoolit, e cila përfundoi me rezultat 1-1, nuk kaloi pa polemika.

Rasti më diskustabil i ndeshjes ishte goli i Liverpoolit i realizuar nga Sadio Mane, por asistuesi i këtij goli James Milner ishte në pozitë jashtë lojë dhe kjo nuk u vërejt nga gjyqtari anësor.

E këtë e ka komentuar edhe trajneri i West Hamit, Manuel Pellegrini, pas lojës duke thënë se e njëjta gjë i kishte ndodhur sa kishte qenë trajner i Malagas, kur ishte përballur me Dortmundin e trajner i skuadrës gjermane ishte Jurgen Klopp.

“Klopp është mësuar të triumfoj me gola të jashtë loje. Ai më mundi sa ishte pjesë e Malagës përmes një goli shtatë metra në pozitë jashtë loje. Kështu që nuk mund të ankohet për asgjë”, ka thënë Pellegrini, duke aluduar në ndeshjen e vitit 2013-të ndërmjet Malgas dhe Dortmundit në Ligën e Kampionëve.

Ai po ashtu e komentoi golin e Milnerit duke thënë se shënoi gol nga një metër në ‘offside’.

“Ata shënuan një gol ku ishte lojtari një metër në “offside”. Edhe në minutën e fundit të ndeshjes me Origin, përsëri një metër në pozitë jashtë loje”, potencoi ai.