Kushtrim Sheremeti. Foto: Facebook

Kushtrim Sheremeti në garë për të qenë përfaqësues i tifozëve të Liverpool në gjithë Evropën

Të enjten, faqja e tifozërisë së ekipit futbollistik të Liverpool në Kosovë – Kosova Reds, ka informuar se kryetari i tyre, Kushtrim Sheremeti, është përzgjedhur nga ekipi i Liverpool të kandidojë në një listë prej 4 kandidatësh për të qenë përfaqësues i të gjitha klubeve të tifozërisë për kontinentin e Evropës.

KALLXO.com e ka kontaktuar Kushtrim Sheremetin në lidhje me këtë mundësi që i është ofruar atij nga ekipi anglez.

Ai e ka konfirmuar se ekipi i Liverpool e kanë informuar personalisht gjatë muajit maj për këtë mundësi, dhe mendon se është në një listë të ngushtë të kandidatëve.

‘’Liverpool FC është një ekip, i cili i ka shumë të rëndësishëm tifozët edhe e ka shumë të rëndësishëm mendimin e tyre, edhe në këtë mënyrë duhet me zgjedh edhe strukturën e tifozërisë, edhe njëkohësisht zëri i tifozërisë prej përfaqësuesve të secilit kontinent shkon deri në bordin e klubit, dhe kjo është e veçanta e këtij ekip,  i cili nuk është ekip i rëndomtë, por është ekip i njerëzve’’ – ka thënë Sheremeti për KALLXO.com.

Kosova Reds ka bërë thirrje që të votohet Sheremeti, në mënyrë që të përzgjedhet, duke votuar në një link që ata e kanë bashkangjitur në njoftimin e tyre në faqen në rrjetin social, Facebook.

Në këtë listë, tre kandidatët tjerë janë nga Holanda, Danimarka dhe Serbia.

Kushtrim Sheremti është drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe me profesion është aktor.