KOSOVA U21 - Foto: FFK

Kosova U21 të gatshëm për ndeshjen ndaj Izraelit, duan 'hakmarrje' për humbjen që e pësuan në Kosovë

Dje është mbajtur stërvitja e fundit e Kosovës U21 në stadiumin “Ramat Gan” në Tel –Aviv.

Në këtë trajnim, trajneri Rafet Prekazi ka dhënë instrukcionet e fundit për lojtarët e tij para ndeshjes së sotme që zhvillohet në orën 18:00 në Tel Aviv.

Mesfushori Rron Broja ka thënë se janë përgatitur për këtë ndeshje dhe shpreson që të shënojnë fitore në mënyrë që t’u hakmerrën izraelitëve për humbjen në Kosovë.

“Jemi përgatitur mjaft mirë për këtë ndeshje. Siç dihet kjo është sfida e fundit për ne në këto kualifikime dhe disa prej lojtarëve do të përshëndetemi me Kombëtaren U21. Gjatë këtyre kualifikimeve kemi zhvilluar lojëra shumë të mira dhe pres që edhe nesër të kemi paraqitje dinjitoze dhe shpresoj të arrijmë fitore për t’iu hakmarrë Izraelit për humbjen e pamerituar në stadiumin “Adem Jashari”, ka deklaruar Brroja.

Ndërsa mbrojtësi Lirim Mema ka thënë që ekipi është në formë të mirë dhe e presin me padurim duelin ndaj Izraelit.

“Ekipi është në formë të mirë dhe ka treguar seriozitet gjatë tërë këtyre ditëve në stërvitje. Po e presim me padurim duelin me Izraelin dhe pres që t’i hakmerremi për atë humbje në Mitrovicë. Kemi punuar shumë gjatë stërvitjeve dhe besoj se në fund këtë fushatë të kualifikimeve ta mbyllim me fitore”, ka thënë Mema.

Sulmuesi i Osijekut, Mirlind Daku, ka thënë se ndeshja e sotme nuk do të jetë e lehtë, por janë optimist për suskes.

“Sigurisht se ndeshja me Izraelin nuk do të jetë e lehtë, por ne kemi punuar shumë gjatë këtyre ditëve dhe jemi optimistë për sukses. Duam që të dëshmojmë si me lojë ashtu edhe me rezultat se humbja në Mitrovicë nuk ka qenë epilog real. Kam besim te ky kolektiv dhe shpresoj ta kemi ditën tone”, ka potencuar Daku.

 

KOSOVA U21 – Foto: FFK
KOSOVA U21 – Foto: FFK