Komiteti Olimpik i Kosoves

Komiteti Olimpik i Kosovës shpërndan bursa për ‘shpresat olimpike 2019’

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK)  ka bërë shpërndarjen e bursave për ‘shpresat olimpike për vitin 2019’.

Përfituesit e bursave janë 6 sportistë të rinj, si më të mirët në kategoritë përkatëse.

Besim Hasani, president i Komitetit, ka thënë se shpërndarja e bursave është bërë e mundur nga sponsorët e Komitetit.

“Komiteti olimpik i Kosovës ka vendosur të ndajë bursa për shpresat olimpike për vitin 2019, bursa këto që do të ndahen nga mjetet që i gjeneron Komiteti Olimpik i Kosovës nëpërmjet sponsorëve. Jemi duke e përmbushur një mision, që sportistët të jenë në qendër të vëmendjes dhe krahas 19 bursave që Komiteti i ndan për Tokyo 2020 do të ndahen edhe 6 për më të mirët”, ka thënë Hasani.

Sipas Hasanit, qëllimi i këtyre bursave është që të përmirësohet performanca, ndërsa nëse nuk bëhet një gjë e tillë atëherë Komiteti e ka të drejtën e anulimit të bursave.

Periudha kohore e bursave është një vjet me vlerë 100 euro në muaj, ndërsa përfituesit janë Drenis Mala, Erdonis Maliqi, Melisa Zhdrella, Bleron Fetaovski, Blerton Nuha dhe Albinot Selmani.

Ndërsa për shkak të mungesës së performancës, iu është ndërprerë bursa notares Flaka Pruthi dhe është zëvendësuar me notaren tjetër Fjorda Shabani.