Këshillat e Mjekut: Rëndësia e higjienës orale te fëmijët

 

Kujdesi higjienik i dhëmbëve të parë të fëmijëve është fillim i mësimit afatgjatë për higjienën orale.

Dentisti i fëmijëve, Xheladin Ujkani tregoi për KALLXO.com se si prindërit mund të kujdesen për higjienën e dhëmbëve te fëmijët e vegjël.

“Në momentin që dalin dhëmbët e parë është koha me i pastrun dhëmbët prej prindërve normalisht që pastrohen shumë lehtë me një gazë sterile me çaj kamomil me një lëvizje dy ata dhëmb mund të mirëmbahen që mos me lanë në asnjë moment te ato bebe të grumbullohet ushqimi rreth dhëmbëve” thotë Ujkani.

Sipas tij, dhëmbët e fëmijëve janë të rrezikuar nga prishja qysh në fillim të daljes së tyre prandaj prindërit duhet të luajnë rolin e tyre në drejtim të mësimit të rutinës se pastrimit të dhëmbëve te fëmijët.

“ Prindërit duhet të jenë shembull ata duhet me i pastru dhëmbët së bashku me fëmijet e tyre  atëherë ai ka me marr shembull prindin e vetë, normalisht ne në kuadër të aktivitete që i kemi e kemi rregull që ata fëmijë me u eduku që dhëmbët me u pastru në mëngjes, gjatë ditës kurdo që ka nevojë dhe në mbrëmje para gjumit gjithmonë. Nëse i thua një fëmije që vetëm njëherë të pastrohen i bjen që të gjitha ushqimet për 24 orë të grumbullohen përreth dhëmbëve”tha ai.

Doktor Ujkani thotë se përveç higjienës një rëndësi të madhe ka edhe mënyra e të ushqyerit e fëmijëve. Ai propozon që të mos konsumohet shumë sheqer, kripë apo pije të gazuara.

“Me i ushqy sa më shumë me qumësht, me ujë me çaj kamomil pemë e perime të freskëta edhe pse është e vështirë të dihet se cilat janë të freskëta në tregun tonë”, këshillon doktori Ujkani.

Doktori propozon që prindërit të mos vonohen me vizitën e parë të fëmijëve të stomatologu sepse është me rëndësi që fëmija të mësohet me vizitat e rregullta.

“Prej praktikës së përditshme e shohim se momentin që ka filluar një shqetësim shumë i vogël prindërit janë shumë të shqetësum e qojnë në shtëpi të shëndetit e takojnë një stomatolog që nuk ka përvojë me fëmijë edhe aty shkaktohet trauma e parë që pastaj është shumë vështirë me u përmirësu e tek pasi që shqetësohen dy tre herë atëherë prindërit kujdesen me shiqu ku ka dentist për fëmijë”, thotë Ujkani.

Ujkani thotë se puna me dhëmbët e qumështit është specifike dhe duhet bërë me kujdes por kur bëhet si duhet atëherë nuk ka nevojë për aplikim të anestezionit te fëmijët përveç në rastet kur fëmijët janë me nevojë të veçanta.

Doktori apelon që kujdesi ndaj dhëmbëve të shihet si prioritar sepse shëndeti oral ndikon edhe në shëndetin e përgjithshëm.