Fjalët e para të Xherdan Shaqirit si lojtar i Liverpulit

Mesfushori zviceran me prejardhje nga Kosova, Xherdan Shaqiri, ka nënshkruar sot marrëveshje me njërin ndër klubet më të njohura të futbollit anglez dhe europian, Liverpul.

Atij i është ndarë fanella me numrin e tij të preferuar 23.

Raportohet se për Shaqirin, i cili deri tani ka qenë lojtar i klubit Stoke City, klubi i Jurgen Klopp ka paguar rreth 14 milionë funta.

Duke folur për sajtin e klubit menjëherë pas nënshkrimit të kontratës, Shaqiri tha se ndjehet i lumtur që ka nënshkruar për Liverpulin.

“Është një klub i madh me histori të madhe, lojtarë të mëdhenj dhe një trajner fantastik. Jam shumë i lumtur që jam këtu”, tha lojtari nga Zhegra e Gjilanit i cili luan për ekipjn kombëtar të Zvicrës.

“Si lojtar, ju gjithmonë dëshironi që të arrini në pikën më të lartë në futboll. Disa vjet më parë unë pata dëshirë të vij këtu por kjo nuk ndodhi. Jam shumë i lumtur që përfundimisht jam këtu. Dua të përmirësohem, dua të jem me më të mirët dhe të fitoj tituj. Kjo është arsyeja pse jam këtu”, tha 26 vjeçari.