Feronikeli – Prishtina, ndeshja e barazimeve (Foto)

Sot luhet njëra ndvr përballjet më interesante e këtij sezoni ndërmjet Feronikelit dhe Prishtinës. Feronikeli aktualisht është në pozitën e parë me 32 pikë, ndërsa Prishtina në vendin e dytë me vetëm dy pikë më pak. Kjo ndeshje ka mbetur pa u zhvilluar prej xhiros së dhjetë në Ipko Superligën e Kosovës.

Në orën 13:30-të, të gjithë sportdashësit kosovarë, do ta kenë koncentrimin në Drenas, në stadiumin “Rexhep Rexhepi”. Kjo për arsye, pasi deri më tani në këto 14 xhiro, të dy ekipet në fjalë kanë treguar futboll të bukur, dhe janë skuadrat me mbrojtjen më të mirë.

Feronikeli nga 13 ndeshje të zhvilluara deri më tani, ka dhjetë fitore, dy barazime dhe vetëm një humbje, atë kundër Gjilanit.

Ndërsa Prishtina, ka nëntë fitore, tri barazime dhe një humbje.

Ekipi nga Drenasi deri më tani ka shënuar 24 gola dhe ka pranuar shtatë gola, që tregon së sulmi dhe mbrojtja e tyre është në nivel.

Prishtina qëndron më mirë se Feronikeli në fazën e mbrojtjes, pasi deri më tani ka pranuar vetëm katër gola, por në sulm është treguar më e zbehtë duke shënuar 18 herë.

Një fakt interesant është që nga pesë ndeshjet e zhvilluar ndërmjet Feronikelit dhe Prishtinës, “Plisat” kanë një fitore me rezultat 2:1 në 14 majin e vitit 2017. Ndërsa katër ndeshjet e tjera kanë përfunduar me rezultat të barabartë 0:0, gjë që tregon se përballja e këtyre dy ekipeve ka qenë e vakët në aspektin e golave.

Të dy ekipet në këtë ndeshje vijnë të motivuara, pasi në xhiron e kaluar kanë shënuar fitore.

Golashënuesi më i mirë i Feronikelit deri më tani është Mendurim Hoti, me pesë gola dhe dy asistime nga gjithsej 10 ndeshje të zhvilluara, me 854 minuta lojë.

Mendurim Hoti

Ndërsa te Prishtina golashënuesi më i mirë është Basit Khalid, me katër gola dhe një asitim, i cili ka zhvilluar 13 ndeshje apo 1006 minuta.

Basit Khalid