Ndeshja FC Drita - FC Prishtina - Foto: Atdhe Mulla FOTO: Ilustrim

Derbi i Anamoravës: Drita vetëm 1 humbje më 2019, Gjilani vetëm 1 fitore

Tifozët nga qyteti i Gjilanit të dielën në mbrëmje pritet të zbarkojnë në numër rekord në Prishtinë për të përcjellë derbin e Anamoravës ndërmjet Gjilanit dhe Dritës.

Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin e Prishtinës “Fadil Vokrri” për herë të dytë në historinë e ndeshjeve ndërmjet këtyre dy klubeve.

Herën e parë ato janë ndeshur në finalen e Kupës në vitin 2001.

Arsye për ndërrimin e lokacionit sipas organizatorëve të ndeshjes është infrastruktura e dobët në stadiumin e Gjilanit dhe punimet që janë duke u bërë aty.

Këtë të diel, në ora 20:00, Drita dhe Gjilani do të ndeshen për herë të tretë gjatë këtij viti.

Ndeshjen e parë të zhvilluar më 30 shtator e kishin fituar të kuqtë, 1:0, ndërsa ndeshjen e fundit të zhvilluar më 16 shkurt, Drita e kishte fituar me rezultat 3:1.

Drita është bindshëm më në formë se Gjilani në ndeshjet e fundit.

Kampioni i Kosovës, KF Drita në pjesën e dytë të sezonit është paraqitur me një fytyrë krejt tjetër, në krahasim me pjesën e parë të sezonit, ku nuk kishte treguar paraqitje të mira.

6 ndeshjet e fundit, Drita i ka të gjitha fitore, ndërsa në vitin 2019, nga 8 ndeshje të zhvilluara, 7 prej tyre i ka fituar, ndërsa vetëm 1 e ka humbur.

Ndeshjet e KF Drita gjate vitit 2019

Drita ka humbur nga Trepça ’89 me rezultat minimal 1 me 0, ndërsa të gjitha ndeshjet e tjera i ka fituar.

Fitore Drita ka shënuar edhe ndaj Drenicës, Ballkanit, Lirisë, KEK-ut si dhe dy herë ka mposhtur Ferizajn.

Në 8 ndeshjet e zhvilluara në këtë vit, Drita ka arkëtuar 21 pikë nga 24 të mundshmet.

Ndërsa rivali i Dritës, Gjilani, në vitin 2019 e ka shënuar vetëm 1 fitore nga 8 ndeshje të zhvilluara. Fitoren e vetme Gjilani e ka shënuar ndaj skuadrës nga Obiliqi, KEK-u, me rezultat 2 me 0. KEK-u është i fundit në tabelë dhe e ka vetëm 1 pikë të marrë, kur kishte barazuar ndaj Ballkanit.

Më 2019, Gjilani ka barazuar me Flamurtarin, Lirinë, Trepçën 89 dhe Drenicën. Ndërsa humbje ka pësuar nga Drita, Llapi dhe Feronikeli.

Ndeshjet e SC Gjilanit gjate vitit 2019

Më 2019, Gjilani ka arkëtuar vetëm 7 pikë, apo 3 herë më pak se sa Drita, me të cilën do të përballen te dielën në mbrëmje.

Kjo është ndeshja e parë ndërmjet këtyre dyja klubeve që ndeshja do të luhet në këtë orar.

Drita ndodhet në pozitën e 4 të tabelë me 44 pikë, ndërsa Gjilani ndodhet në pozitën e 6 me 10 pikë më pak, 34.

Gjilani është vetëm 5 pikë larg nga pozita e barazhit.

Feronikeli, Llapi dhe Prishtina ndajnë 3 pozitat e para në tabelë dhe janë duke luftuar për të përfunduar si kampion të Superligës për sezonin 2018/2019.