Ahmeti: Pasojat e vendimit të Kushtetueses do t'i shohim në vijim

Tashmë një nga ish-kryesusit e Ekipit negociator për dialogun me Serbinë, Shpend Ahmeti ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ekipin negociator do të ketë pasoja.

“Pasojat e këtij sfidimi do t’i shohim në vijim. Tash me rënien e këtij ligji nuk ka asnjë kufizim që të ketë takime mes dy presidentëve, presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiq. LDK-së e VV-së po iu pengonte, tash ata po gëzohen, pasojat e kësaj mund të jenë të mëdha”, ka deklaruar Shpend Ahmeti në emisionin “Debat Plus” në televizionin Dukagjini.

Shpend Ahmeti ka thënë se nëse do të ketë gatishmëri për unifikim ata do të jenë të gatshëm të bashkohen përsëri.

“Nëse do të ketë unitet ne do të jemi të gatshëm përsëri të bashkohemi”, ka deklaruar Ahmeti.

Më tej ai ka thënë se spektër politik më të fragmentuar nuk ka pasur asnjëherë. Gjithashtu ka shtuar se në të kaluarën në çështje të rëndësishme për shtetin gjithmonë ka pasur unitet.