Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Mungon i Akuzuari për Paraqitje të Rreme si Zyrtar

Enver Zhjeqi, i akuzuari për mashtrim dhe prezantim të rremë si person zyrtar, nuk u paraqit në gjykatë, edhe pse ishte ftuar në mënyrë të rregullt dhe e kishte pranuar ftesën.

Zhjeqi nuk e arsyetoi mungesën e tij, ndërsa kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri tregoi se i akuzuari është kontaktuar edhe me telefon, por atë e ka pasur të fikur.

Trupi gjykues pastaj vendosi që për të akuzuarin Zhjeqi të lëshohet urdhëresë e posaçme për sjellje në gjykatë.

Zhjeqi akuzohet se nga shkurti i 2012-ës deri në shkurt 2013 në Prishtinë, me qëllim që të përvetësojë sende të huaja dhe të përfitojë materialisht e ka mashtruar familjen e Burim Rekës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari është prezantuar si person ndërlidhës i investitorëve “M&R Invest” dhe ka nënshkruar kontratë me kompaninë “inTECH”, me qëllim të pjesëmarrjes, bashkëpunimit, zhvillimit dhe realizimit të projektit të banimit kolektiv në Lagjen Tophane të Prishtinës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas kontaktit me familjen e Burim Rekës, i akuzuari ka shprehur interesim që të jetë pjesë e projektit me investitorët “M&R Invest”, ku të njëjtëve u ka thënë së mund t’ua rregullojë lejen e ndërtimit në afat shumë të shkurtër, për shkak të qasjes si zyrtar i komunës, edhe pse nuk ishte zyrtar komunal.

Në aktakuzë thuhet se Enver Zhjeqi ka përfituar nga familja Reka 59,590 euro.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/aktakuza-zyrtari-rreme-komunes-perfitoi-53-590-euro/