Shpallja e aktgjykimit në rastin për vrasje - Foto: KALLXO.com

Mitrovicë, dënohet e akuzuara për vrasjen e personit me të cilin bashkëjetonte

Gjykata e Mitrovicës sot është shpallur aktgjykimin në rastin e të akuzuarës për vrasje të rëndë – Mirzeta Shuntiq.

Shuntiq akuzohet se në maj të vitit 2017, në veri të Mitrovicës e kishte vrarë Sllavisha Vllashkoviqin me të cilin ajo ka bashkëjetuar.

Sipas aktakuzës ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që pas një zënke me viktimën, në gjendje të dehur, ku përqindja e alkoolit në gjak ka rezultuar 3.29 %, e akuzuara me rrip e shtrëngon viktimën në fyt, me ç’rast si pasojë e mbylljes së rrugëve të frymëmarrjes dhe në mungesë të oksigjenit në organet vitale jetësore, viktima Sllavisha Vllashkoviq vdes.

Me këtë, Shuntiq akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Burim Ademi, pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave dhe provave, ka gjetur se e akuzuara është fajtore për kryerjen e kësaj vepre penale.

Në dënimin me burgim prej 12 vjetësh të akuzuarës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 10 maji i vitit 2017 e deri më tani.

Sipas Gjykatës, të akuzuarës do t’i vazhdohet kjo masë deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Gjithashtu e akuzuara është obliguar që në emër të shpenzimeve procedurale të paguajë shumën prej 542 euro dhe për paushall gjyqësor shumën prej 160 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërinë së këtij aktgjykimi.

Gjyqtari Burim Ademi në arsyetimin e aktgjykimit tha se Gjykata në këtë rast posaçërisht ka pasur parasysh tre rrethana, gjendjen psikike dhe të alkoolizuar të të akuzuarës si dhe rrethanën e cila sipas trupit gjykues nuk mund të anashkalohej, ishin raportet e të akuzuarës me tashmë të ndjerin.

Lidhur me këtë, sipas gjykatësit Ademi, të gjithë dëshmitarët e dëgjuar gjatë shqyrtimit gjyqësor kanë pohuar se e akuzuara dhe i ndjeri Sllavisha Vllashkoviq kanë pasur probleme dhe se ato kanë qenë rrahje në raport me të akuzuarën.

Kurse sa i përket kërkesës pasurore-juridike, pala e dëmtuar është udhëzuar në procedurë civile.

Në fund, palët u njoftuan se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankesa brenda afatit ligjor.