Ndotja e ajrit Prishtine, 30 janar 2018 - Foto: Atdhe Mulla

Ministrja premton: Në tetor do të dihen ndotësit kryesorë të ajrit

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, sot ka mbajtur takim me përfaqësuesit e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), për të diskutuar rreth fazës së parë të projektit për Zhvillimin e Kapaciteteve për Kontrollin e Ndotjes së Ajrit.

Reshitaj theksoi se rezultatet preliminare mbi ndotësit kryesorë në Kosovë do të jenë gati në tetor të këtij viti, siç tha, pas studimit të hollësishëm një vjeçar nga ekspertët japonez.

“Projekti që po realizohet në bashkëpunim me JICA-n japoneze në fushën e mjedisit e posaçërisht në zvogëlimin e ndotjes së ajrit është shumë i rëndësishëm për shtetin e Kosovës, pasi që fusha e mjedisit mbetet ende problematike. Prandaj, me anë të këtij projekti katër milionësh, ne do të listojmë emetuesit e mëdhenj të gazrave dhe në këtë mënyrë do të dizajnojmë politikat zhvillimore për kontrollimin e ndotjes së ajrit”, tha ministrja.

Foto: MMPH

Ndërsa përfaqësuesi i JICA-s, Yamanda Taizo, falënderoi ministren për bashkëpunimin në implementimin e projektit për kontrollin e ndotjes së ajrit.

“Projekti ka për qëllim që të zhvillojë kapacitetet e palës kosovare për trajtimin e ndotjes së ajrit. Ky projekt ka filluar vitin e kaluar dhe për më pak se një vit, pala kosovare ka nisur shumë punë të rëndësishme për kontrollin e ndotjes së ajrit me ekspertët e JICA-s”, tha Taizo.

Në kuadër të këtij projekti katër milionësh, parashihet analizimi i cilësisë së ajrit, listimi i burimeve të mëdha të ndotjes dhe vlerësimi i masave të kontrollit të ndotjes së ajrit.