Ilustrim. Foto: Kallxo.com

Ministria Pranon Monopolin, Synon Uljen e Çmimeve për Homologim të Veturave

Në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, Instituti GAP në bashkëpunim me Grupin për Studime Politike dhe Juridike mbajtën një tryezë diskutimi për monopolin në homologimin e veturave dhe faljen e borxheve publike.

Në lidhje me kontratën e nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës me një kompani për homologimin e veturave që regjistrohen për herë të parë në Kosovë, Berat Thaçi nga Instituti GAP tha se kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit.

“Kjo e kufizon lirinë e zgjedhjes së konsumatorëve sepse kjo është liri e cila duhet të garantohet në bazë të gjitha normave ligjore”, tha Thaçi.

Thaçi poashtu foli edhe për vendimin e qeverisë së Kosovës të para dy muajve për faljen e borxheve publike ndaj ambalazhuesve të ujit. Sipas tij, ky vendim është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet kushtetuese.

“Uji është pasuri natyrore dhe si e tillë është pronë e përbashkët e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe si e tillë vetëm Kuvendi mund të marrë vendim që të falen borxhet e tilla që kanë të bëjnë me pasuri natyrore të Kosovës”, tha Thaçi.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, tha se i gjithë angazhimi dhe përkushtimi i Ministrisë së tij është që të bëhet liberalizimi i tregut dhe të ulet çmimi i homologimit.

“I gjithë angazhimi dhe përkushtimi i Ministrisë është që të bëhet liberalizimi i tregut dhe të ulet çmimi i homologimit, mos të kemi ndoshta edhe një kompani të vetme në Kosovë që të bëjë homologimin, sepse realisht qytetarët janë të diskriminuar në këtë gjendje në të cilën jemi”, tha Kadriu.

Kadriu tha se kabineti i tanishëm qeveritar dhe Ministria e Infrastrukturës janë të gatshëm që të bëjnë liberalizimin e tregut si dhe plotësimin dhe ndryshimin e akteve ligjore.

Sipas tij, për  momentin ministria është duke përgatitur udhëzimin administrativ i cili edhe gjendet në debat publik deri më 6 dhjetor 2017, ndërsa ftoi ekspertët e lëmisë së komunikacionit dhe anëtarë të shoqërisë civile t’i japin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.

Ndërsa Valon Prestreshi nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës tha se Qeveria e Kosovës ka autorizuar një ndërmarrje private për kryerjen e shërbimeve të homologimit dhe jo një ndërmarrje publike.

“AKK ka pranuar ankesa nga Avokati i Popullit, shoqëria civile për të shqyrtuar çështjen e homologimit. Lënda është në trajtim e sipër”, tha Prestreshi.

Në fund të vitit 2008, Minstria e Transportit e Telekomunikacionit (tash Ministria e Infrastrukturës) kishte nënshkruar një kontratë me një kompani për homologimin e veturave që regjistrohen për herë të parë në Kosovë, duke i dhënë një autorizim për veprimtarinë ekskluzive dhjetëvjecare për periudhën 2009-2019. Për dhënien e kësaj kontrate, Ministria nuk ka shpallur procedura të tenderimit duke i dhënë qasje ekskluzive vetëm një kompanie.