Java kundër Korrupsionit

Nis Java Kundër Korrupsionit

Sot ka filluar Java Kundër Korrupsionit e cila organizohet nga 11 Organizata Joqeveritare. Në konferencën e mbajtur nga këto OJQ u prezantua agjenda që do të jetë nga 9-13 dhjetori.

Çështjet rreth sinjalizueseve do të jenë kryetemë përgjatë këtyre ditëve, thanë organizatorët. Arberesha Loxha nga GLPS tha se drejtësia nuk duhet të jetë pjesë e politikes dhe e pazareve të saj.

Mungesa e besimit nga qytetarët në organet gjyqësore, kualiteti i dobët i vendimmarrjes, ishin disa nga problemet e gjyqësorit që Loxha përmendi.

Ajo si zgjedhje të këtyre ngecjeve e sheh Vetingun dhe jo vetëm në pushtetin gjyqësor por dhe në AKI, Doganë dhe institucione të tjera ekspozuara ndaj korrupsionit.

Saranda Ramaj nga Columbus, tha se ligji për sinjalizuesit nuk po gjen zbatim në praktike. Ajo kujtoi rastet kur institucionet janë hakmarrë ndaj sinjalizuesve.

Ramaj vuri theks edhe mbi Fondin për trajtim mjekësor jashtë vendit.

“Ky fond është rreth 12 milionë euro dhe ndahet çdo vit nga qeveria e Kosovës. Por ne e dimë mirë se sa  njerëz presin me radhë për këto para dhe shumë pak i marrin ato. Përkundër kërkesave të shumta të mediave për qasje në këto dokumente, ende nuk na u ka dhënë kjo qasje”, tha Ramaj.

Për këtë çështje do të mbahet tryezë e veçantë të premten nga ora 10:00.

Java e korrupsionit fillon nga sot dhe zgjat deri të premten.

Disa nga temat që do të trajtohen janë: Sinjalizuesit e Korrupsionit;  Sinjalizuesit vs të fortit; Korrupsioni dhe konflikti i interesit në sektorin e arsimit; Lufta për Mëditje.